Kosova

Hovenier pas takimit me Kurtin: Është shumë herët për të thënë kush është përgjegjës për sulmin në Zubin Patok

Nga Gazeta ‘Si’- Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka folur pas takimit që pati kori diplomatik me kryeministrin Kurti.

Hovenier ka thënë se takimi ishte ftuar nga kryeministri Kurti dhe ndërlidhet me informimin e ambasadorëve për sulmin e tmerrshëm në Ibër-Lepenc.

Ai përsëriti qëndrimin se Amerika dënon këtë sulm të tmerrshëm, por tha se është shumë herët për të dhënë konstatime se kush qëndron prapa këtij sulmi.

“Kurti ftoi korin diplomatik në një takim dhe bisedë për sulmin e tmerrshëm. Në emër të Amerikës, mund të them se e dënojmë sulmin e tmerrshëm në infrastrukturën kritike të Kosovës. Amerika përkrah hetim të plotë, i japim përkrahje autoriteteve të Kosovës për hetim, autorët duhet të dalin para drejtësisë”, tha Hovenier.

“Në këtë pikë, Amerika nuk është në pozitë të thotë kush është prapa sulmit, duhet hetim i kujdesshëm, ne ofrojmë përkrahjen për autoritetet e Kosovës, një hetim kredibil dhe autorët të gjenden. Nuk mund të themi kush është përgjegjës, dhe nuk jemi në pozitë të përjashtojmë asnjë grup, është shumë herët. Nuk e dimë ende”, tha më tutje ambasadori amerikan në Kosovë.

Hovenier përsëriti qëndrimin e njëjtë kur u pyet se cilat mund të jenë masat ndaj Serbisë.

“E thashë, nuk jemi në pikën për të thënë kush është përgjegjës, dhe nuk mund të përjashtojmë asnjë grup që është përgjegjës, ne do të punojmë me autoritet lokale për ta hetuar këtë rast. Ajo që duam të shohim është përgjegjësi për këtë sulm”, tha Hovenier.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë