Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Sipas ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, “marrëveshja e përkohshme” do të sjellë përfitime për Prishtinën dhe Beogradin.
“SHBA-ja është e inkurajuar dhe mirëpret vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë”, shkroi ai në Twitter.
The United States is encouraged by and welcomes the decision by Kosovo also to accept the EU Proposal in principle, and we will continue to provide our full support to the EU-facilitated Dialogue. The interim agreement will bring significant benefits to both Kosovo and Serbia. https://t.co/ed3Ng4Rpnr
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) February 7, 2023
Më 6 shkurt, pas një takimi me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pranon propozimin e bllokut evropian.
Ai tha se e konsideron këtë propozim si “një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.
BE-ja vitin e kaluar u ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë propozimin, që njihet edhe si plani franko-gjerman.
Ky plan nuk është bërë publik por parashikon të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




