Gazeta Si-Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova janë të përkushtuara për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Në një shkrim të publikuar në faqen e Ambasadës amerikane, Hovenier tha se veprimet e Rusisë paraqesin kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Europën dhe për rendin ndërkombëtar.
“Së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, ne do ta ndihmojmë Ukrainën në përpjekjet e saj për t’u mbrojtur nga agresioni i mëtejmë rus”, tha Hovenier.
Pas grumbullimit të mbi 100.000 trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën, Perëndimi ka ngritur alarmin se Moska mund të jetë duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën.
Në kohën e rritjes së tensioneve Rusi-Ukrainë, Kosova ka shprehur mbështetjen për Ukrainën. Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka shprehur gatishmërinë që komponentë të caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të SHBA-së, në rast se i kërkohet për ndonjë mision.
Ambasadori Hovenier tha se Uashingtoni po vazhdon që të ndërtojë një koalicion ndërkombëtar të partnerëve në Europë dhe gjetkë, për t’iu kundërvënë kërcënimit rus.
“Miqtë tanë në Kosovë janë thelbësorë në këtë përpjekje. Uniteti dhe vendosmëria jonë e përbashkët transatlantike janë mjeti më efektiv që kemi për të kundërshtuar agresionin rus. Jemi të përkushtuar ndaj diplomacisë dhe e kemi bërë të qartë se rruga diplomatike mundëson zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për të gjithë”, tha Hovenier.
Sipas ambasadorit amerikan në Prishtinë, kërcënimi i Rusisë ndaj Ukrainës është kërcënim i vlerave demokratike kudo në botë. Ai shtoi se SHBA-ja dhe Kosova qëndrojnë së bashku me Ukrainën “për të siguruar një Europë të lirë dhe të qëndrueshme, e cila është në interesin më të mirë të popujve të demokracive, qofshin ata amerikanë, kosovarë apo të tjerë anembanë globit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




