Ngjarje

Hoteli i rrafshuar me tritol në Sarandë, flasin banorët: Na u duk se ra tërmet, ishte një tmerr

Gazeta Si - Përveç dëmeve materiale në banesa dhe biznese përreth, shpërthimi me tritol në një hotel në Sarandë, ka shkaktuar një tronditje për banorët e zonës.

Disa prej tyre shprehen se nuk e kanë marrë ende veten nga ajo që ndodhi pak para orës 6 të mëngjesit këtë të hënë. Një pjesë, kanë menduar fillimisht se ishte një tërmet, pasi nuk po e kuptonin në çfarë situate ishin.

“Thashë se ishte tërmet në atë kohë. Por shpëtuam. E dëgjova shumë mirë, më zgjoi zhurma. M’u duk si tërmet në fillim, - thotë një zonjë, e cila banon pranë zonës ku ndodhi shpërthimi. -  E dëgjuam, ishte shumë I madh. Thamë se gjëmoi”.

Një tjetër banore tregon se ajo me fqinjët e saj përjetuan një tmerr, duke theksuar se kishin ndier një tronditje të madhe më shumë se sa lëkundje nga vala e shpërthimit.

“U hodha nga krevati, mendova se ishte tërmet, dal në ballkon dhe shoh xhama dhe vetrata të thyera. Zbritëm poshtë, ballkoni dhe shkallët e shtëpisë u mbushën me tym, nuk shikoje asgjë. Ndjemë një tronditje, jo një lëkundje, ishte një tmerr i vërtetë Mirë që ishte herët dhe nuk kishte njerëz jashtë se do të kishte të lënduar”.

Ndërsa një grua e moshuar, tregton se e kuptoi që në fillim se ishte një shpërthim.

“Thamë se mos ra pallati. Thashë se u fundos pallati në tokë. Isha zgjuar, deri tani s kam marrë frymë. Nuk mbledhim dot veten. Tërmetin nuk e mendova, dukej se ishte shpërthim. U çova menjëherë dola në ballkon”.

Hoteli që u rrafshua, përdorej vetëm gjatë verës, ndërsa në dimër mbyllej. Mësohet se objekti kishte futur në konflikt dy palë, të cilat vijojnë të jenë në proces gjyqësor. Ngjarja ndodhi në mes të qytetit në zonën e Bulevardit rreth orës 5:55 minuta.

Shpërthimi i fuqishëm ka tronditur zonën, ndërsa ka dëmtuar edhe të gjitha bizneset që ndodheshin përreth.

Praprakisht mësohet se për hedhjen në erë të objektit, janë përdorur rreth 5 kilogram lëndë plasëse tritol, ndërsa deri në këto moment nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen e rëndë.

Hoteli ka qenë objekt konflikti mes disa personave, ndërsa ata i ishin drejtuar gjykatës, për shkak se ai është në bashkëpronësi.

Mësohet se shtetasi grek, Dhimitër Evangjeliu, ka paditur pronarët Spiro Çabiri dhe Vangjel Shtuka. Policia ka shoqëruar në komisariat anëtarët e dy familjeve, Spiro Çabiri dhe të Dhimitër Evangjeliut.

Nga Tirana priten të mbërrijnë ekspertë xhenierë për të përcaktuar llojin e lëndës plasëse dhe sasinë që është vendosur në kolonat e hotelit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë