Te “Markata e Peshkut”, Pazari i Ri në kryeqytet të shtunën në drekë kishte vetëm tre tavolina me klientë në mjediset e jashtme. Po aq edhe tek pjesa e barit.
“Ka rënë shumë puna. Ne 60 % të klientelës e kemi patur turistë të huaj. Tani që janë bllokuar lëvizjet po kaq humbje kemi. Klientët tani janë dora jonë (qesh), vijnë më pak në numër dhe shpenzojnë më pak”- thotë një prej kamarierëve.
Po ashtu edhe tek Mullixhiu pranë Liqenit Artificial, një restorant tradicional me prodhime shqiptare bio. Kishte njerëz, por jo të mbanin radhën si dikur. Pak porsi, sa për të kënaqur veten që ishin në restorant. Faturat e paguara nuk ishin më shumë se 3000 lekë secila.
Mbrëmjet e fundjavës qenë të vakta, megjithë dëshirën e të rinjve për tiu rikthyer normalitetit të para pandemisë.

Radio Bar 
Shtëpia ecajit
Bar Radio që dikur mbushej që në orën 5 të pasdites dhe qëndronte hapur deri gati në mëngjes, nuk kishte më shumë se 5 tavolina me klientë të shtunën pasdite dhe në mbrëmje deri në orën policore 22:00.
Po ashtu edhe Kono në zonën e Ish Bllokut. Megjithë dritat e vendosura për zbukurim me rastin e festave, nuk ngrohnin. Tavolina të rralla sipas protokollit, pak njerëz dhe asfare entuziazëm.
Festat e fundvitit që bizneset prisnin të ishin një ogur i bardhë për të ardhurat e tyre, pothuajse nuk kanë fare shpresa.
Merkata e Krishtlindjes nuk do të ndërtohet në Sheshin Skënderbej. Këtë e pohon për gazetën “Si”, Enri Jahaj, kreu i shoqatës së Bar Restoranteve.
Ai thotë që situata e bizneseve që ai përfaqëson është shumë e shëmtuar, shihet edhe me sy të lirë pa patur nevojë për laps edhe letër.
“Deri më tani janë mbyllur 2500-3000 bar-restorante. Humbja është e thellë, mesatarisht 40%, por ka edhe nga ata që kanë humbje deri në 70%. Tani nuk flasim dot me shifra të sakta sepse ka edhe guximtarë që hapin bzinese të reja. Ka të tjerë që edhe pse me humbje të thellë po tërhiqen zvarrë deri në Vitin e Ri me shpresë mos bëjnë ndonjë lekë dhe ta mbyllin në janar. Por situata është katastrofë”- thotë Jahaj duke shpjeguar se gjendja nuk të dikton tjetër alternativë veç mbylljes në kohën kur nuk ke të ardhura dhe duhet të paguash shtetin.
E njëjta situatë shfaqet edhe në sektorin e akomodimit; hotele dhe Bad & Breakfast.
Klientela e paktë që ekziston vjen prej rajonit, kryesisht prej Kosovës, teksa më parë ishte 90 % e huaj.
“Gjatë verës kishim kryesisht amerikan sepse vetëm Shqipëria i lejonte për shkak të pandemisë. Tani kemi vetëm nga rajoni, më shumë kosovarë. Këtë fundjavë nga dy apartamente me 3 hyrje, kam vetëm ¼ e kapacitetit të plotësuar”- tregon manaxheri i Artist në Myslym Shyri.
Situatën tejet të rënduar të sektorit të akomodimit e konfirmon edhe kreu i Shoqatës Shqiptare të Hotelerisë, Zak Topuzi.
Ai thotë se hotelet e mëdha praktikisht kanë falimentuar, pavarësisht se nuk janë mbyllur të gjithë.
“Po mbijetojnë hotelet familjare që e shtyjnë si e shtyjnë me 10-15 % të kapacitetit. Hotel Tirana (15 katëshi u mbyll), Hiltoni më parë po ashtu. Të tjerët po tërhiqen zvarrë, por me sa kuptohet situata as për festat nuk do të ketë shpresë. Mendoj që ky vit do të festohet nga shtëpia, nuk ka sinjale të tjera. Përderisa protokolli i deritanishëm nuk lejon grumbullimet me mbi 10 persona, nuk mund të bëjmë organizime si vitet e tjera. Hotelet deri tani nuk kanë bërë asnjë përgatitje për festat dhe nuk ka asnjë njoftim nga instancat shtetërore për këtë gjë”- thotë Topuzi.
Sektori I turizmit; fluturimet, akomodimi dhe bar-restorantet kanë qenë më të goditurit në të gjithë botën gjatë pandemisë, veçanërisht në Shqipëri, e cila është e varur nga sektori i turizmit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.






