Analize

Hong Kongu, një Tiananmen i dytë?

Në fund të tetorit të vitit 1956, qindra studentë dhe punëtorë u masakruan në Budapest pasi u ngritën në protestë kundër sistemit Sovjetik dhe për të kërkuar fundin e sundimit politik të Moskës. Në fillim, protestat u galvanizuan nga qëndrimi gjithnjë e më agresiv i policisë dhe nevojës për t’u ngritur në revoltë e plotë kundër një qeverie kukull të kontrolluat nga “sovjetikët”. Në fund të muajit, me krijimin e një qeverie të re rebele, dukej se Moska mund të ishte e gatshme të negocionte tërheqjen e trupave sovjetike.

Ky optimizëm ishte jetëshkurtër. Në orën 4:15 të mëngjesit në 4 nëntor, tanket sovjetike hynë në qytet, duke lënë mijëra qytetarë hungarezë të vdekur. Perëndimi dënoi gjerësisht masakrën por nuk ndërmori asnjë veprim real. Megjithatë, protesta e kishte arritur qëllimin e saj duke paralajmëruar humbjen e kontrollit politik të Moskës, të paktën deri në rënien e Bashkimit Sovjetik tre dekada e gjysmë më vonë.

Partia Komuniste Kineze duket se po përgatitet tanimë për një tragjedi të ngjashme.
Kujtimet e vitit 1956 janë rikthyer në mendjen e shumë ekpertëve gjatë diskutimit mbi trazirat në Hong Kong dhe frikës së Kina komuniste mund të ndërhyjë ushtarakisht në ishull, ashtu si në Tiananmen.

Protesta në Hong Kong, Gazeta Si, 16 gusht 2019

Disa argumentojnë se Pekini do të përmbahet nga përdorimi i dhunës për shkak të shqetësimit për reputacionin e tij global. Të tjerë thonë që qeveria kineze do t’i përdorë protestat e Hong Kongut si një paralajmërim për të gjithë kinezët që kërkojnë më shumë të drejta demokratike.

“Dërgimi i tankeve dhe ushtrisë do të ishte shumë dramatike dhe me një kosto të lartë. Kjo masakër do të quhet Tiananmen i Dytë dhe Partia Komuniste nuk do të donte një reputacion të tillë në këtë moment. Megjithatë për të gjitha sistemet politike me një parti, dënimi ndërkombëtar dhe masakrat e brendshme janë të menaxhueshme, edhe nëse do të kenë pasoja të mëdha. Ajo që është e patolerueshme është humbja e autoritetit politik. Dhe kjo është pikërisht sfida më të cilën Pekini përballet në Hong Kong”, thotë analistja britanike Kerry Brown.

Këtë javë, rreth dy milion njerëz dolën në rrugët e Hong Kongut për të protestuar kundër një ligji që do të lejonte arrestimin dhe transferimin e banorëve të Hong Kongut dhe vizitorëve të huaj në Kinë me shumë pak masa mbrojtëse.

Aeroporti Ndërkombëtar i Hong Kongut, një nga qendrat më të mëdha të transportit ajror në botë, është mbyllur. Edhe pse dhuna është ushtruar kryesisht nga ana e policisë, këtë të hënë protestuesit sulmuan dhe rrahën disa policë të infiltruar në mesin e tyre. "Na vjen keq për rrëmujën", lexon një tabelë e vendosur nga protestuesit në aeroport. "Por ne po luftojmë për mbijetesë."

Përplasjet nisën në prill, kur qeveria e Hong Kongut, nën presion të vazhdueshëm nga Pekini, kaloi legjislacionin për ekstradimin e personat e akuzuar për krime kundër territorit të Kinës. Propozimi alarmoi banorët e Hong Kongut, të cilët e dinin mirë se ky ligj nuk do të thoshte asgjë përveçse përndjekjen e tyre nga sistemi komunist kinez.

Frika se Pekini do ta përdorte këtë ligj për të arrestuar aktivistët dhe gazetarët çuan në protesta masive. Përpjekjet për të shtypur demonstratat kanë sjellë rritjen e vazhdueshme të numrit të protestuesve. Këto protesta nuk janë vetëm një shëmbëlltyrë e guximit të qytetarëve të Hong Kongut,por edhe një shembull i komunizmit të ashpër që po udhëheq Kinën kontinentale.

Pekini ka rritur retorikën kundër protestuesve gjatë javës së kaluar, duke i krahasuar ata me terroristë dhe duke fajësuar "forcat e huaj armiqësore" dhe për organizimin dhe nxitjen e protestave. Që nga mesi i viteve 1950, frika e ndërhyrjes së jashtme ka qenë një pjesë thelbësore e diskutimit politik të partisë.

Por më shqetësuese janë raportet se Pekini po konsideron përdorimin e forcave të tij paraushtarake për të shtypur protestat. Një postim i Presidentit Amerikan Donald Trump të martën duket se konfirmoi këto raporte të frikshme.

Pyetja e shumë qytetarëve të Hong Kongut është nëse Pekini është i përgatitur të shtypë protestat nëpërmjet ushtrisë po nëse kërcënimet e fundit janë thjesht mjete presioni për të frikësuar qytetarët e Hong Kongut.

https://www.youtube.com/watch?v=QPyc5QP9FYM

Duke parë historinë Kinës dhe mësimet e nxjerra nga masakra e Tiananmenit, për komunistët përdorimi i tankeve dhe ushtrisë për të nënshtruar popullin kinez nuk ishte një gabim. Përkundrazi, partia besonte se pasojat ishin të justifikuara, sepse shmangën një katastrofe edhe më të madhe: rrëzimin e Partisë Komuniste dhe prishjen e sistemit socialist.

Për presidentin kinez Xi Jinping, këto trazira vijnë mes luftës së vazhdueshme tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe ngadalësimin e ekonominë. Kërkesat e protestuesve për më shumë sovranitet nga Pekini dhe pjesëmarrje më demokratike janë të papranueshme për qeverinë e tij.

Tanimë duket se aktorët ndërkombëtarë mund të bëjnë shumë pak për të siguruar të ardhmen e demokracisë në Hong Kong. Sidoqoftë, gjendja e vështirë e më shumë se 7 milion qytetarëve të këtij territori mund të na japë një mësim të rëndësishëm për atë që Kina ka në mendje për pjesën tjetër të botës dhe nuk është e mirë.

Protestat e vazhdueshme erdhën pas presionit të vazhdueshëm të Kinës për të cenuar sistemin demokratik të qeverisjes në Hong Kong. Kur britanikët transferuan sovranitetin mbi Hong Kongun në Kinë në 1997, Pekini ra dakord që Hong Kongu të kishte sistemin e tij të qeverisjes si dhe sistemin e tij ekonomik.

Protesta në Hong Kong, Gazeta Si, 16 gusht 2019

Ky sistem ka sjellë një sukses të jashtëzakonshëm zhvillimi ekonomik. Por liria ekonomike nuk është pritur aq mirë nga Partisë Komuniste Kinez, e cila ka shkelur përgjatë viteve të fundit të drejtat e garantuara nën marrëveshjen "një vend, dy sisteme".

Kina po sillet tanimë si sfiduesja më e madhe e rendit global. Ashtu si shumica e rebelëve, ajo nuk do mendohet dy herë përpara ndërhyrjeve ushtarake, derisa bota të ndalojë së duruari sjelljet e patolerueshme të Pekinit.

Nuk ka dyshim se Pekini po zhvillon një luftë kundër demokracisë. Muajin e kaluar, ajo dërgoi trupa dhe mjete ushtarake kufirit me Hong Kongun. Kina është e gatshme të bëjë gjithçka që demonstratat "pro-demokracisë" të mos përhapen në qytetet kontinentale. Për më tepër, Partia Komuniste do të ishte e lumtur të shihte fluksin e investimeve të huaja të Hong Kongut në qytetet kontinentale si Guangzhou dhe Shanghai që janë më fort nën kontrollin e regjimit. Sa për mirëqenien dhe të ardhmen e njerëzve të Hong Kong-ut, kjo është gjëja e fundit për të cilën shqetësohet Pekini.

Ndërkohë shumica e kinezëve të kontinentit duken indiferentë për protestat. Shumë prej tyre janë xhelozë për privilegjet që gëzojnë prej kohësh nga njerëzit e Hong Kongut. Në vend që të mbështesin demonstrata, ata janë të lumtur të shohin që ishullorët prapa hekurave.

Por Hong Kongu nuk është Pekini i vitit 1989 dhe as një rajoni i kontrolluar nga Kina, Përkundrazi, ai është kapitali financiar i Azisë, dhe mbase më e rëndësishmja, ai përmban investime marramendëse të kontrolluara nga elita e Kinës, përfshirë edhezyrtarë të nivelit të lartë të Partisë Komuniste. Dërgimi i tankeve në Hong Kong do të shënonte pa dyshim kthesën më të madhe në historinë e Kinës moderne.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë