Home Office ka nisur një fushatë reklamuese që synon të pengojë shtetasit shqiptarë që të emigrojnë në Britani.
Reklamat, të cilat do të shfaqen në shqip në Facebook dhe Instagram, do të paralajmërojnë se qytetarët do të “përballen me ndalimin dhe largimin” nëse bëjnë udhëtimin e rrezikshëm për në Britani.
Qeveria britanike thotë se, duke filluar javën e ardhshme, do t’i bëjë të qarta rreziqet me të cilat përballen emigrantët në varka të vogla.
Sipas Home Office, Shqipëria është një “vend i sigurt dhe i begatë” dhe shumë shtetas “po udhëtojnë nëpër vende të shumta për të bërë udhëtimin për në Britani, përpara se të bëjnë “kërkesa të rreme për azil kur të mbërrijnë”.
Fushata pason një lëvizje të ngjashme të mediave sociale të nisur nga qeveria në gusht të vitit të kaluar.
Ministri i Emigracionit Robert Jenrick thotë se fushata do të “punojë në mënyrë proaktive përpara se njerëzit të nisen në udhëtime të rrezikshme dhe të panevojshme”.
Shqipëria është vendi nga ku kanë aplikuar më shumë emigrantë për azil deri në mars 2023, me 13,714 aplikime nga shtetas shqiptarë.

“Ne jemi të vendosur të ndalojmë anijet dhe fushata, e nisur në Shqipëri këtë javë, është vetëm një komponent i punës së Home Office për të ndihmuar në rrëzimin e miteve rreth udhëtimeve të paligjshme në Britani, për të shpjeguar realitetet dhe për të luftuar gënjeshtrat të shitura nga kontrabandistët që përfitojnë nga kjo tregti e ndyrë”, thotë Jenrick.
Qeveria nga ana tjetër nuk ka treguar se sa do të kushtojë kjo lloj fushate.
Tim Naor Hilton, shefi ekzekutiv i Refugee Action, e quajti fushatën “të pakuptimtë” dhe tha se ajo “përsërit mitin se emigrimi i refugjatëve është i paligjshëm”.
“Kjo është një tjetër fushatë e pakuptimtë që tregon se ministrat refuzojnë të kuptojnë se një pakicë e vogël refugjatësh në botë kanë arsye shumë të fuqishme për të ardhur këtu. Nëse qeveria do të donte të shkatërronte bandat e kontrabandës dhe të ndalonte njerëzit që kalonin Kanalin me varka, do të krijonte rrugë më të sigurta për refugjatët që të udhëtonin këtu për të kërkuar azil”, tha ai.
Shefi ekzekutiv i shoqatës për refugjatët ‘Care4Calais’ Steve Smith tha se “asnjë fushatë e paguar nga taksapaguesit nuk do t’i pengojë refugjatët nga kërkimi i një të ardhmeje të sigurt”.
“E vetmja zgjidhje që do t’i lërë trafikantët e njerëzve jashtë biznesit, do të ndalojë kalimet me varka të vogla dhe do të shpëtojë jetë është t’u ofrohet kalim i sigurt refugjatëve”.
Përfaqësuesja e opozitës Yvette Cooper, thotë se fushata të tilla janë të pakuptimta ndërkohë që sistemi i azilit është në kaos.
Fushata pason projektligjin e qeverisë për emigrimin e paligjshëm, i cili synon të dërgojë azilkërkuesit që mbërrijnë në Britani nëpërmjet rrugëve të paautorizuara në shtëpi ose në një vend të tretë si Ruanda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.