Gazeta Si – Arkëmorti i Papa Françeskut është zhvendosur këtë të mërkurë në Bazilikën e Shën Pjetrit, disa qindra metra larg kapelës së Santa Martës, ku ai do të prehet të shtunën.
Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë për të kryer nderimet e fundit, teksa në pamje shihet se trupi i Atit të Shenjtë është vënë në një arkivol të thjeshtë prej druri, ashtu siç ai e kishte lënë në testament. Pas lutjeve, do të nisin homazhet nga publiku, deri më 26 prill.
Ndërsa arkivoli iu afrua hyrjes së Bazilikës së Vatikanit, pati duartrokitje nga turma e besimtarëve që kishin zënë më shumë se gjysmën e kolonadës së Berninit në Sheshin e Shën Pjetrit. Dje, më shumë se 50.000 besimtarë u grumbulluan në Kolonadën e Shën Pjetrit, ndërsa në zonën e bazilikës ishin të pranishëm mbi 100.000 individë.
Shumë shtete kanë shpallur disa ditë zie kombëtare për vdekjen e Papa Françeskut, ndërsa liderët e botës e cilësuan si një humbje të madhe për botën.
Mëngjesin e 21 prillit, u njoftua se Papa Françesku kishte ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare si pasojë e një goditjeje në tru që më pas e kishte futur në gjendje kome.
Javë më parë ai kishte dalë nga spitali ku ishte trajtuar me ndihmë mjekësore për 38 ditë si pasojë e një pneumonie të dyfishtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.