Politike

Homazhe për 21 Janarin, Rama: SPAK i vonuar, 15 vite padrejtësi!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e homazheve për 21 janarin kujtoi sesi ndodhi ngjarja e rëndë, ku 4 qytetarë u vranë në protestën e opozitës së asaj kohe.

Sipas Ramës, ky është një krim i rëndë shtetëror, që akoma dhe sot nuk po gjen drejtësi, ndërsa theksoi se çdo vit ai vjen me një “gur në zemër që rëndohet më shumë”.

“Vetëm zoti e di se me çfarë guri në zemër unë vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit. Është një gur që bëhet më i madh dhe që me tregon përmes një sekëlldie të madhe sesa më i madh bëhet çdo 21 janar zhgënjimi juaj të dashur familjarë të 4 dëshmorëve, hidhërimi juaj, pengu juaj për mos ardhjen e drejtësisë, 15 vjet pa drejtësi për 21 janarin janë 15 vjet për një padrejtësi të madhe, jo vetëm për disa, por mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptar.Ndërsa për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit 15 vitet e këtij boshllëku janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth, dëshpërim dhe poshtërim”, tha Rama.

Rama akuzoi Berishën, se dha urdhrin për të qëlluar mbi protestuesit.

“Njeriu i futur nga populli në zyrën e kryeministrit kishte lëshuar kushtrimin e një përgjigje me plumb ballit ndaj protestës së opozitës së bashkuar të kohës.

Kujtoj se kur së bashku me Pandeli Majkon dhe disa shokë të tjerë po kalonim urën e Bulevardit, një autoblindë u shfaq në horizont dhe një valë gazi lotsjellës u lëshua mbi njerëzit pa nisur akoma protesta, duke na zmbrapsur nga parku Rinia. Rrëmuja e provokuar e ktheu protestën në një lëmsh kaotik mes protestuesve dhe forcave të rëndit.

Protesta doli jashtë kontrollit. Për asnjë çast protestuesit nuk tentuan të kapërcejnë gardhin e kryeministrisë.  

Tytat e pushkëve u ulen drejt trupat e postuesve dhe morën jetët e 4 të pafajshëm duke plagosur edhe disa të tjerë, pasojë fatale e mendjes kriminale“, u shpreh Rama.

Rama shprehu kritika edhe për drejtësinë e re. Ai tha pas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dy vite më parë, prokurorët e posaçëm duhet ta kishin kërkuar deri tani drejtësinë.

“Nuk ka mjaftuar as vendimi nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut më shumë se dy vjet më parë që prokurorët speciale të kësaj republike t’ia kishin kërkuar deri tani gjykatës speciale drejtësinë për katër vrasjet shtetërore të 21 janarit ndërkohë që në emër të drejtësisë dhe vetëm drejtësisë, të drejtësisë së barabartë për të gjithë dhe të barazisë së secilit para ligjit prej plot gjashtë vjetësh ne u bëjmë atyre veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetes dhe vetë presidentit të Republikës, pa llogaritur justifikim me durim dhe heshtje nga ana jonë, të gabimeve të tyre ndonjëherë tejet shqetësuese si gabime të rritjes së një institucioni të ri dhe jetik për shtetin e së drejtës.

I bëmë institucionet të pavarura por kriminelët e 21 janarit nuk preken dot”, tha Rama.

Ai kritikoi gjithashtu SPAK-un, duke deklaruar se sipas tij për vite me radhë SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekzistonte, pavarësisht se bëhet fjalë për kryeçështjen mes çështjeve të lidhura me abuzimet e pushtetit politik në Shqipëri, të cilat SPAK i merret drejtpërdrejt.

Më pas kryeministri duke iu përgjigjur atyre që i drejtojnë gishtin për mos vënien e drejtësisë, tha se ndihet i dobët edhe në pozitë kur shikon pandëshkueshmëri ende pas 15 vitesh.

“Vihen mbi kurrizin tonë edhe gurët e mllefit dhe të mërzisë së shumëkujt që me të drejtë ndihet i tradhëtuar në pritjen për drejtësi, ndihet i përdorur nga drejtësia e re dhe i përbuzur në nevojën që drejtësia të vihet… Akuzojnë me gishtin e ngritur në drejtimin tonë, në drejtimin tim posaçërisht kur vjen fjala për pandëshkueshmërinë që mban peng 21 janarin, por po ju them që ndihem i dobët kur shoh që si kalon dhe një vit tjetër, kur 21 janari vjen përsëri.

Sot burgjet e shqipërisë mbajnë me taksat e shqiptarëve më shumë të paraburgosur, se sa njerëz të dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë”, tha Rama duke shtuar se të gjithë janë viktima të shkeljes së të drejtave të njeriut, nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë