Në Prishtinë u zhvilluan sot homazhet për Nexhmije Pagarushën. Familja e këngëtares pret sot në hollin e Teatrit Kombëtar miqtë, bashkëpunëtorët e qytetarët e shumtë që e deshën dhe e vlerësuan artisten e madhe ndër vite.
Bilbili i muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha ndërroi jetë një ditë me parë në moshën 86-vjeçare. Familja e këngëtares ka njoftuar se ngushëllimet mbahen në Teatrin Kombëtar, ndërsa varrimi i saj do të bëhet në fshatin Pagarushë të Malishevës, në një ceremoni familjare.
Në shenjë nderimi për bilbilin e muzikës dhe kulturës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, sonte në Malishevë, pranë muzeut të qytetit, qytetarë të shumtë kanë ndezur qirinj.
Komuna e Malishevës, përmes një njoftimi për media, tha se ceremonia e ndezjes së qirinjve është shoqëruar me këngët e Pagarushës, të kënduara ndër vite.
Në këtë aktivitet morën pjesë familjarë të Nexhmije Pagarushës, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues të subjekteve politike që janë të përfaqësuar në Kuvendin e Komunës, si dhe qytetarë të tjerë, të të gjitha moshave. Pagarusha u lind më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës.
Ndërkaq, Presidenti i Kosovës, në nderim të jetës dhe veprës Pagarushës, vendosi që ditën e varrimit të saj, 9 shkurt 2020, ta shpallë ditë zie shtetërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Presidenti Thaçi e ka marrë këtë vendim në “shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për artisten Nexhmije Pagarusha, e cila i dha vlera të përjetshme kulturës dhe artit tonë kombëtar”. Në pajtim me legjislacionin në fuqi, në ditën e zisë, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.