Bota

Protesta dhe homazhe me lule në nder të Navalnit, të paktën 100 të arrestuar në Rusi

Gazeta Si – Autoritetet ruse kanë arrestuar më shumë se 100 persona më 16 shkurt në 10 qytete ruse, sipas OVD-Info, pasi qytetarë në mbarë vendin nderuan me homazhe politikanin opozitar, Aleksei Navalni.

OVD-Info tha se 56 persona u dërguan në paraburgim në disa qarqe të Shën Petersburgut, ku policia shpërndau njerëzit që ishin mbledhur. Një fotograf i “Novaya Gazeta” dhe një korrespondent i “RusNews” ishin në mesin e të arrestuar.

Edhe 15 të tjerë u arrestuan në Nizhni Novgorod dhe 11 në Moskë, shkroi në ueb-faqe OVD-Info, duke përmendur numrin dhe emrat e të gjithë të arrestuarve.

Në shtatë qytete të tjera, po ashtu ka pasur të arrestuar, sipas OVD-Info. Në Moskë, policia doli në monumentin për viktimat e shtypjes politike që gjendet në sheshin Lubjanka.

Sipas “Kommersant”, të paktën 1.000 persona shkuan te memoriali dhe vendosën lule dhe shënime në nderim të Navalnit.

Një memorial spontan po ashtu u shfaq afër një shtëpie në Moskë, ku Navalni kishte jetuar para se të arrestohej.

Pasi u bë publik nga autoritetet ruse lajmi për vdekjen e Navalnit në burg, memoriale spontane u ngritën edhe në qytete të tjera, sikurse në Novosibirsk, Uljanovsk dhe Kirov.

Në Novosibirsk, një banore lokale mbajti në duar një poster ku shkruante “Kush e ka radhën”. Policia e mori në pyetje, por nuk e arrestoi.

Por, ndryshe ngjau me një grua në Murmansk, e cila po ashtu mbajti një protestë me një person – protestë e lejuar nga autoritetet ruse – dhe mbajti një pankartë ku shkruhej: “Gjaku i tij është në duart tuaja, Vova”, një referencë për presidentin rus, Vladimir Putin. Sipas “News Beware”, ajo u arrestua.

Policia bllokoi një memorial në Novosibirsk, sipas postimeve në Telegram. Në Uljanovsk, njerëz me rroba civile hoqën lulet e vendosura pranë një fotografie të Navalnit.

Një person është arrestuar edhe në Minks të Bjellorusisë. “SOTA” raportoi se Dmitry Kuchuk, lider i partisë së ndaluar të Gjelbërve u arrestua teksa tentoi të vendoste lule në një memorial për Navalnyn para Ambasadës ruse.

Shërbimi Federal të Burgjeve i Rusisë në rajonin Yamalo-Nenets tha të premten se Navalni u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen dhe se vdiq pasi iu ofrua ndihma mjekësore.

Yulia Navalnaya, bashkëshortja e Navalnit, tha se Putini dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e raportuar e burrit të saj.

Navalni, një kritik i zëshëm i Putinit, është mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht./REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë