Gazeta Si – Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka deklaruar se vendimet e institucionit që ajo drejton, nuk janë as këshilluese dhe as opsionale, por të detyrueshme për t’u zbatuar.
Gjatë fjalës së saj në aktivitetin “Jurisprudenca në Kushtetuese”, Zaçaj theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha pushtetet.
Sipas saj, moszbatimi i këtyre vendimeve, cënon integritetin e ligjit, vë në diskutim Kushtetutën si dhe minon besimin e publikut.
“Autoriteti i këtyre vendimeve nuk është teorik. Përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike. Mos harrojmë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t’u zbatuar. Ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet”, – tha Zaçaj.
Kreu i Gjykatës Kushtetuese, shtoi se “dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetëm Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore jo vetëm të respektojnë vendimet e gjykatës, por edhe të veprojnë në shina kushtetuese. Kjo vlen për të mbajtur në vëmendje se kur institucionet, përfshirë dhe ato gjyqësore, krijojnë dhe ato konflikte kushtetuese apo veprojnë jashtë kuadrit kushtetues, kjo minon vetë legjitimitetin e sistemit ligjor dhe gërryen besimin e publikut”, – u shpreh Zaçaj.
Zaçaj kujtoi para të pranishmëve se është me rëndësi që demokracia të jetë kushtetuese dhe me kufij për pushtetet.
“Kushtetueshmëria si mënyrë të qenuri është pasaportë jonë e vetme në rrugën e integrimit drejt Evropës së bashkuar. Në jetojmë në një moment historik jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë dhe na duhet të kujtojmë se vetëm demokracia nuk mjafton. Sundimi i shumicës, edhe kur është i ligjshëm, mund të çojnë në ligje që kufizojnë ose shkelin të drejtat themelore. Prandaj është e domosdoshme që demokracia të jetë kushtetuese, me kufij për pushtet, respekt të sundimit të ligjit dhe një pushtet gjyqësor të pavarur. Vetëm kështu demokracia nuk është thjesht dhe vetëm një mekanizëm qeverisës, por një kulturë lirie, përgjegjshmëria dhe llogaridhënie”, – deklaroi Holta Zaçaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



