Kosova

Holanda bllokon liberalizimin e vizave me Kosovën: Luftoni korrupsionin

Holanda ka konfirmuar zyrtarisht se është në mesin e disa prej shteteve të Bashkimit Evropian që po e pengon procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, Bo de Koning ka njoftuar në një përgjigje për mediat në Prishtinë se argumentet e ofruara nga institucionet e Kosovës për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk kanë qenë mjaft bindëse deri më tani.

Koning ka përmendur mbledhjen e fundit të Këshillit të Evropës në të cilën nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Përveç Holandës, kundër heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës janë edhe Franca dhe Belgjika, të cilat po kërkojnë hapa më konkret në luftimin e këtyre dukurive negative.

“Deri më tani, në Këshill ka përkrahje të pamjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën. Siç e dini, liberalizimi i vizave është një proces teknik, i cili drejtohet nga standardet që duhet t’i përmbushë një vend në mënyrë të qëndrueshme, para se Këshilli të marrë vendim për heqjen e vizave. Kur Komisioni Europian së fundi raportoi për këtë çështje, shteti i Holandës arriti në përfundim se konkluzionet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelin e lartë nuk ishin mjaft bindëse”, ka thënë Koning për KP.

Më tej, ajo bëri të ditur se aktualisht nuk ka ndonjë vizitë të planifikuar të këtyre delegacioneve në Kosovë për shkak të formimit të qeverisë së re në Holandë. Megjithatë, zëdhënësja theksoi edhe një herë gatishmërinë e Holandës për ta ndihmuar Kosovën në këtë proces.

Po ashtu zëdhënësja e diplomacisë holandeze i ka quajtur inkurajuese planet e qeverisë aktuale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë