Drejtësia

Hodhi foshnjën e sapolindur në lumin Kir në Shkodër, lihet në burg nëna 32-vjeçare

Gazeta Si – Orjana Gremi, e cila akuzohet se mbyti foshnjën e saj duke e hedhur në ujërat e lumit Kir, është lënë në “arrest me burg” nga Gjykata e Shkodrës.

Në seancën gjyqësore, 32-vjeçarja nuk ka folur, ndërsa avokatja e saj ka kërkuar ndryshimin e veprës penale, nga vrasje në rrethana tjera cilësuese, në vrasje të të miturve.

Një kërkesë që u refuzua nga gjykatësi, i cili ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorisë dhe cilësimin e veprës penale. 32-vjeçarja do t’i nënshtrohet edhe një ekspertimi psikologjik.

LEXO EDHE;
– Nëna që mbyti foshnjën tërhoqi bonusin e bebes. Mjeku: Kërkoi ta çojë në Shtëpinë e Fëmijës, por më pas refuzoi
– Shkodër, nëna hedh foshnjën 1-javëshe në lumin Kir. Dëshmia në polici: Nuk kisha mundësi ta mbaja

Gremi është mbrojtur në seancën gjyqësore nga avokatja Bruna Pepa, e caktuar kryesisht nga gjykata.

Trupi i pajetë i bebes u gjet mëngjesin e së shtunës së shkuar në vendin e quajtur Postribë, ndërsa 32-vjeçarja u shoqërua e më pas u arrestua.

Foshnja e gjinisë mashkull, kishte ardhur në jetë në datë 30 dhjetor dhe rezultonte pa atësi të regjistruar. 32-vjeçarja e ka rrëfyer krimin tek murgeshat e një Kishe Katolike në zonë, të cilat më pas kanë njoftuar policinë.

Orjena Gremi ka ndihmuar policinë në gjetjen e trupit të pajetë, duke treguar kështu pendesë për atë që kishte bërë.

Në dëshminë e saj në polici, ajo ka thënë se nuk ka pasur mundësi ta mbajë fëmijën, pasi vetë jetonte në shtëpinë e dajës dhe ishte e pamartuar.

Ajo nuk rezulton deri më tani me një kartelë mjekësore dhe sipas psikologëve që e kanë marrë në pyetje, e reja ka treguar qetësi dhe rrjedhshmëri logjike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë