Ka ndodhur

Hodhën flakadanë gjatë derbit Partizani-Tirana, arrestohen dy persona, nën hetim 6 të tjerë

Gazeta Si – Dy tifozë, 21 dhe 36 vjeç, kanë rënë në pranga pasi hodhën flakadanë gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Partizani-Tirana, e cila u luajt një ditë më parë në stadiumin “Air Albania”.

Policia tha se 6 të tjerë janë proceduar penalisht pasi gjatë kontrollit të ushtruar në hyrje të stadiumit, u kapën me lëndë piroteknike.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore për situatën e krijuar gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Partizani-Tirana, të zhvilluar më datë 16.02.2024, në stadiumin “Air Albania”, arrestuan shtetasit F. K., 21 vjeç, banues në Tiranë, dhe K. S., 36 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi ditën e djeshme, kanë hedhur flakadanë, gjatë ndeshjes”, njoftoi policia.

Ndërkohë ka nisur procedim penal për një tifoze dhe 5 tifozë të tjerë, mes tyre edhe një i mitur.

“Në vijim të veprimeve, gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit F. L., 34 vjeçe, A. B., 18 vjeç, K. A., 25 vjeç, R. M., 20 vjeç, Xh. R., 18 vjeç, dhe një i mitur 15 vjeç, pasi gjatë kontrollit në hyrje të stadiumit, u kapën me lëndë piroteknike”, njoftoi policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë