Shendet

HIV/AIDS në rritje, 125 raste të reja në Shqipëri gjatë 2025. Meshkujt më të prekur

Nga Gazeta Si- Shqipëria shënon 125 raste të reja me HIV gjatë vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare të publikuara me rastin e Ditës Botërore të HIV/AIDS. Numri i të prekurve me HIV ka pasur një rritje nga viti në vit. Në vitin 2024 në Shqipëri ishin 119 të infektuar ndërsa në 2023 ishin 113.

Sipas të dhënave, infeksioni vijon të prekë më shumë meshkujt, të cilët përbëjnë 98 nga rastet e reja, ndërsa femrat 27.

Raporti meshkuj–femra mbetet i lartë, 3.5 me 1, në të njëjtën linjë me tendencën shumëvjeçare.

Që prej vitit 1993, në vend janë regjistruar gjithsej 1973 raste me HIV, nga të cilat 1442 janë meshkuj dhe 531 femra.

Aktualisht, 963 persona janë nën trajtim me terapi antiretrovirale (ARV), një trajtim që mban nën kontroll virusin dhe përmirëson cilësinë e jetës për individët e prekur.

Transmetimi seksual, edhe këtë vit, mbetet rruga kryesore e përhapjes së infeksionit në Shqipëri.

Shumica e rasteve lidhen me transmetimin heteroseksual, i cili përbën 72.6% të totalit të rasteve, ndërsa 23.4% lidhen me meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj.

Sa i takon moshave, të dhënat tregojnë se HIV prek kryesisht të rriturit e grupmoshës aktive të punës.

Grupmosha 35–44 vjeç përbën përqindjen më të madhe me 27.8%, e ndjekur nga 25–34 vjeç me 26.9%.

Më tej renditen 45–54 vjeçarët me 18%, të rinjtë 16–24 vjeç me 10% dhe 55–64 vjeç me 11%. Fëmijët 0–15 vjeç përfaqësojnë 3%, ndërsa grupmosha mbi 65 vjeç ka përqindjen më të ulët me më pak se 3%.

Specialistët theksojnë rëndësinë e testimit të hershëm, ndërgjegjësimit dhe qasjes së vazhdueshme në trajtimin antiretroviral, një strategji që jo vetëm përmirëson jetën e pacientëve, por edhe ndihmon në parandalimin e transmetimit të mëtejshëm të virusit.

Në Ditën Botërore të HIV/AIDS theksi vihet te informimi, reduktimi i stigmatizimit dhe zgjerimi i aksesit në shërbime shëndetësore për të gjithë.

Në Shqipëri, pavarësisht përmirësimeve në diagnostikim dhe trajtim, ekspertët nënvizojnë se sfida mbetet identifikimi i hershëm i rasteve dhe ndërgjegjësimi mbi praktikat e sigurta seksuale, veçanërisht tek grupmoshat më aktive dhe komunitetet në rrezik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë