Ana e errët

Historitë e denoncimeve: Nëse s’e hetoni, do t’i bie… Prej 1 viti zihen për 1 mijë lekë

Disa i zgjidhin problemet me tone të qeta. Shumë përpiqen t’i zgjidhin me dhunë. Dhe fare pak të tjerë  janë aq të aftë dhe të përmbledhur se edhe kur i godasin dhe i rrahin ata ruajnë qetësinë dhe presin rrugëzgjidhje nga autoritetet. Por një 48 vjeçar  që u godit me grusht në fytyrë nga pronari i një banese, pretendon se nuk ngriti dorë dhe as reagoi por e priti qetësisht. Veçse kushti i tij për policinë është i qartë dhe i prerë: “Hetojeni, dua që ngjarja të ndiqet ligjërisht, në të kundërt do ta godas edhe unë me grusht ashtu si më qëlloi ai”

Denoncimi dhe kërcënimi me grushte

Sipas burimeve për Gazeta ”Si”, 48-vjeçari nga Tirana shkoi në komisariatin numër 5 dhe mbasi kërkoi të shkruhej gjerë e gjatë historia e tij, u tha agjentëve që t’i masnin shenjën e zezë që i kishte mbetur si gjurmë në fytyrë. Fashikulli i policisë përmend se burri në pamundësi ekonomike kërkoi së bashku me familjen një banesë me qira në periferi të kryeqytetit. Pagesa e përballueshme për të dhe anëtarët e tjerë ishte pikërisht një shtëpi që kushtonte 15 mijë lekë të reja në muaj

“Ne ramë dakord që gjysmat t’i paguanim 15 ditëshin e parë dhe gjysmat në fund të muajit. Por në krye të muajit u binda se banesa ishte e pajetueshme dhe se aty nuk jetohej. Kështu që kryem pagesën për çdo ditë që ndenjëm dhe i njoftuam se do largoheshim. Gruaja e tij, doli në rrugë dhe na shau me zë të lartë. Kërkonte dhe dy javë të tjera ndonëse ne nuk do qëndronim. Ju kërkova mos të ofendonin se nuk kishte hije, por shanë gruan, mua dhe secilin nga ne për varfërinë tonë” thotë shtetasi në fjalë në denoncimin që u vendos në dispozicion gazetës “SI”.

Ndonëse mes palëve nuk ekzistonte asnjë kontratë noteriale veç asaj me fjalë, grindjet kanë vijuar edhe mes grave dhe nga ana tjetër burrat nuk kanë përtuar, por janë rrahur

“Ky person, A.T kërkoi ta likuidoj dhe atëherë për të shmangur sherrin i premtova që do ta paguaja sa më shpejt edhe për dy javët që nuk do qëndronim aty, por ai doli në rrugë dhe pa më thënë asnjë fjalë më qëlloi me grusht”

Policia i thotë Gazetës “Si” se pala tjetër këmbëngul se qiraxhiu i doli nga fjala dhe se debatet ndodhën veçse për t’u sqaruar.

“Është e vërtetë nuk shkuam tek noteri, por ajo banesë mund të ishte marrë me qira nga të tjerë. Por me dorë nuk e kam prekur”, dëshmoi i denoncuari, të cilit policia e ka urdhëruar të kërkojë ndjesë

Policia bën me dije për Gazetën “Si” se për të parandaluar vetëgjyqësinë, pra rrahjen me grusht të qiradhënësit do ta referojë çështjen nga komisariati numër 5 drejt prokurorisë për dëmtime me dashje.

Një mijë lekë të qelbura janë…”

Por varfëria mund të shtyjë drejt ekstremeve të tjera. Një 1 mijë lekësh i ri, i pashlyer prej një viti mund të fusë burrat në sherr dhe ata vërtet nuk kanë ngritur armët kundër njëri-tjetrit, por ama i kanë rënë telefonit dhe e kanë thënë fjalën e fundit. Ngjarja ndodh sërish në zonën e Kamzës, ku edhe gjenden mjaft fasoneri.

Pikërisht në këtë lokalitet sipas policisë ka shpesh ankesa nga punëtorët për mos korrektesë me pagesat. Por një grua e cila ka fëmijë të vegjël, plot një vit më parë tentoi të punonte si rrobaqepëse pranë një biznesi në lagje. Gjithsej ajo punoi vetëm një ditë. “Më detyroheshin 10 mijë lekë të vjetra, më morën në provë dhe mandej nuk shkova më. Nuk mi dhanë asnjëherë ato para i thashë burrit” u shpreh gruaja para komisariatit numër 5.

Në të vërtetë ajo u thirr si dëshmitare  për të dhënë alibinë e saj, mbasi i shoqi një natë telefonoi burrin e administratores së rrobaqepësisë. Shtetasi i kërcënuar G.G denoncoi se një tringëllimë e ziles së telefonit në mesnatë e zgjoi atë dhe ai e hapi telefonin: “një zë burri ulëriste ku e ke shtëpinë, do vij dhe do të vras ty, gruan fëmijët dhe më pas ka mbyllur telefonin”.

Nga verifikimet e policisë i thuhet gazetës “Si” se gratë e dy burrave kanë pasur gjatë një viti debate, ku e punësuar për vetëm një ditë kërkonte të drejtën e pagesës prej 1 mijë lekë të reja, kurse administratorja i përgjigjej; “1 mijë lekë të qelbura janë”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë