Analize

Historike, Maqedonia e Veriut nga sot pjesë e familjes së NATO-s!

Pas 28 vitesh pritje, NATO ka hapur zyrtarisht dyert ditën e sotme për Maqedoninë e Veriut, një vendim historik që do t’i shërbeje si stabilitetit të vendin fqinj, ashtu edhe mbarë rajonit.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njofton se Republika e Maqedonisë së Veriut është bërë sot zyrtarisht anëtarja më e re e NATO-s.

“Mirësevjen në NATO, Maqedoni e Veriut! Ishte një rrugë e gjatë, por të gjitha përpjekjet janë shlyer. Procesi zyrtar i pranimit tani është i plotë, dhe ne jemi të kënaqur që kemi anëtarin e 30-të të Aleancës sonë”, shkruan Stoltenberg në Twitter.

https://twitter.com/jensstoltenberg/status/1243575520568238081

Greqia kishte kundërshtuar prej vitesh anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, por si pjesë e marrëveshjet se emrit, Athina ra dakord të heqë bllokadën e saj të gjatë, duke mos e izoluar kështu Maqedoninë nga Perëndimi. U desh shumë guxim dhe vullnet politik në Shkup dhe Athinë për të zgjidhur çështjen e emrit.

Anëtarësimi i Maqedonisë Veriore në NATO mund të mos duket në pamje të parë si një ngjarje e rëndësishme, por mbyll një shteg të rëndësishëm në atë që dikur ishte oborri i ish-Bashkimit Sovjetik. Ai vjen po ashtu në një kohë kur tensionet Lindje-Perëndim po rriten.

Me anëtarësimin e Shkupit, NATO ka 30 anëtarë, gati dyfishin e vendeve që kishte në vitin 1991, kur shumë ekspertë menduan se aleanca do të shpërbëhej,

l Jens Stoltenberg dhe Zoran Zaev, Gazeta Si, 2020

Hyrja në aleancën Veri-Atlantike garanton një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për Maqedoninë e Veriut, por edhe mbyll një kapitull të gjatë të konfliktesh në Ballkan. Ai i ofron brezit të ri mundësinë për të pasur një jetë më të mirë dhe një të ardhme europiane.
Në një kontekst më të gjerë, hyrja e Shkupit në NATO përmirëson stabilitetin rajonal në kohën kur fantazmat e së kaluarës duket se janë rikthyer për të cenuar sovranitetin territorial të Kosovës.

Maqedonia ka ushtri modeste dhe PBB-ja e saj vjetore është sa gjysma e një qyteti të pazhvilluar amerikan. Por si Shtetet e Bashkuara ashtu dhe vendet kryesore europiane ndërhynë fuqishëm për ta përafruar vendin fqinj me Perëndimin, duke u përplasur herë pas here me Rusinë.

Në terma krejtësisht ushtarakë apo ekonomikë, vendi fqinj nuk i shton asnjë vlerë bllokut, por në aspektin e interesave aktuale gjeopolitike (ndërhyja e Rusisë dhe Kinës)mesazhi i bashkimit të saj me aleancën ushtarake mund të jetë shumë i vlefshëm.

Ekspertët thonë se përveç aspektit të sigurisë, pranimi i Shkupit në NATO është gjithashtu i rëndësishëm në nivel diplomatik dhe ekonomik.

“Aleanca garanton integritetin territorial dhe kufijtë tanë. Çdo sulm ndaj vendit tonë do të konsiderohej si një sulm ndaj NATO-s “, thotë analisti ushtarak Nanim Ruzin, i cili shtoi se stabiliteti do të sjelle zhvillim dhe investime për vendin fqinj.

Megjithatë, për kritikët, anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut vjen me kosto të mëdha, duke përfshirë përmirësimet e nevojshme për ushtrinë. Ajo gjithashtu do të përfshije vendin fqinj më thellë në mosmarrëveshjen midis Rusisë dhe Perëndimit. Por anëtarësimi në NATO mund të jetë po ashtu një mënyrë efektive për të rritur sovranitetin e Maqedonisë së Veriut, sepse e mbron Shkupin nga ndërhyrja ruse.

Analistët politikë thonë se bashkimi i Maqedonisë se Veriut me aleancën veri-atlantike është një pengesë për presidentin Vladimir Putin, i cili e ka argumentuar prej kohësh se NATO-ja nuk është më e nevojshme, sepse sipas tij, Rusia nuk përbën kërcënim.



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë