Futboll

Historia/ Kur ‘Nusepashka’ e Sarajevës ndryshoi jetën e Edin Xhekos në 1993-shin

Gazeta Si – Shkolla e futbollit ‘Bubamara’, ura e kontrolluar nga snajperët, ideja e Predrag Pashiç. Në rrënjët e ‘mjelmës’ boshnjake.

Kur termi “luftë” u bë drama e përditshme në Sarajevë, kryeqytetin multietnik të Bosnjës, Predrag Pashiçit, një ish-futbollist modest, i lindi një ide. U ngrit, u vesh me shpejtësi dhe kaloi përmes qytetit, duke shpresuar që të mos qëllohej nga snajperët serbë, kroatë, myslimanë.

Predrag Pashiç, ish-lojtari boshnjak. Gazeta Si, 19 janar 2023

Shkoi te një radio lokale: “Më 15 maj fillojnë seleksionimet për shkollën e futbollit Bubamara. Paraqituni në orën 16:00 te fusha e Skenderijas”, – ishte njoftimi i Pashiç. Ai donte të bënte diçka për ata që kishin mbetur në Bosnjë mes bombave, por për trë shkuar te fusha e stërvitjes fëmijët duhej të kalonin një urë nën kontrollin e snajperëve.

“Është çmenduri, – mendoi Pashiç, – nuk do të vijë askush”. Në fakt, u paraqiten 200 djem, mes tyre edhe një Edin Xheko i vogël.

“Bubamara” në Sarajevë quhet nusepashka. Një simbol fati për atë që çdo ditë sheh botën t’i përmbyset para syve. Si Xhekos, që donte të kalonte ditë e natë me topin në këmbë, por një ditë u ndal nga nëna e tij Belma: “Sot nuk do të shkosh në park, është shumë e rrezikshme”.

Edini u ndje keq në fillim, por nëna i shpëtoi jetën: parku u bombardua nga serbo-boshnjakët, pati të vdekur dhe të plagosur. Një nga shokët e skuadrës në kombëtare, Vedad Ibiseviç, humbi babanë gjatë spastrimit etnik.

Edin Xheko ne Bosnje. Gazeta Si, 19 janar 2023

Varka e shpëtimit është njoftimi i Pashiç: fëmijët mund të ktheheshin më në fund të luanin futboll. Edini merr mrekullisht lejen e nënës dhe më 15 maj 1993 kalon me vrap urën. Dorë për dore me fëmijët e tjerë duhen të kaluar ato 10 sekonda rreziku nga snajperët e vendosur kudo.

Edhe lojtarët e vegjël, si protagonistët e luftës, vijnë nga çdo anë: serbë, kroatë, boshnjakë, ortodoksë, myslimanë. Pashiç, kur rikujton stërvitjet e para me djemtë në ‘Bubamara’, thotë: “Jashtë dëgjoheshin krisma armësh dhe unë unë u mësoja atyre se ishin ato që duhej të na bënin më të fortë, që të mendonim si një skuadër”.

Xheko feston nje gol me Interin. Gazeta Si, 19 janar 2023

Te ‘Bubamara’ rriten sulmuesi i ardhshëm i Interit dhe Ervin Zukanoviç, një lojtar krahu i Atalantës, Romës dhe Xhenoas. Pashiç shpjegon futboll dhe qytetërim: “Jashtë palestrës dëgjohen armë, teksa ne stërvitemi. Më pëlqen të mendoj se i kam ndihmuar djemtë e mi të tregonin më të mirën”.

Pastaj nata e gjatë e Sarajevës arriti në fund: Bosnja fillon dalëngadalë të zërë vend në hartën e botës. Pashiç dhe ‘Bubamara’ megjithatë nuk e mbyllin aktivitetin, vazhdojnë iniciativat e tyre për fëmijët viktima të luftës dhe në 2001-shin zbarkojnë në Kosovë, një tjetër vend gjaku dhe lotësh.

Bashkë me ta është gjysma e Romës: Tomazi, Di Françesko e Mangone vizitiojnë Ballkanin si kampionë të Italisë. Iniciativa e Pashiç synon të afrojë futbollistët e mëdhenj me fëmijët. Dhe është një sukses: paraqiten edhe Di Biaxho, De Ashentis e Deli Karri.

Lojtaret italiane qe luajten miqesore me seleksionin boshnjak. Gazeta Si, 19 janar 2023

Luhet një ndeshje mes kampionëve të Serisë A dhe një seleksioni boshnjak, ndërsa fëmijët e ‘Bubamaras’ bëjnë tifo. Fitojnë ballkanasit 6-5. Kushedi, nëse mes tyre nuk ka qenë 15-vjeçari Xheko, që u bë një xhevahir i mesfushës së Zheljezniçarit.

Mes ‘Bubamaras’ dhe Edinit ka ende një fije të kuqe, madje zikaltër: bomberi entuziazmon Interin në moshën 36-vjeçare, krijesa kurajoze e Pashic u bë pjesë integrale e projektit ‘InterCampus’, që prej 25 vitresh merr pjesë me iniciativa solidariteti për boshnjakët e vegjël dhe mundëson që ata të luajnë futboll.

Xheko ruan në mendje dhe zemër kujtimet e Sarajevës: përveçse shënon gola me Interin dhe ngre trofe, financon ndërtimin e shtëpive-familje në Bosnjë dhe është ambasador i Unicef-it. Nusepashka i ka sjellë fat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë