Muzike

Historia e trazuar e Operas së Sidneit – Nga një ‘përbindësh’ buzë limanit në trashëgiminë e UNESCO-s

Nga Myles Burke– Më 2 mars 1959 nisi ndërtimi i një prej godinave më të famshme të shekullit XX, Opera e Sidnejit. Por ky projekt monumental, që sot përfaqëson një ikonë arkitekturore të Australisë dhe trashëgimi botërore të UNESCO-s, kaloi përmes një rruge të gjatë të mbushur me kriza teknike, kosto të pakontrolluara, debate publike dhe tensione politike.

Në një kronikë të vitit 1965 për BBC Tonight, gazetari Trevor Philpott përshkroi përpjekjen për të gjetur një metaforë të denjë për çatitë e veçanta të ndërtesës, të projektuara nga arkitekti danez Jørn Utzon:

 “Ishte si një tufë guaskash gjigante. Si një grup pulëbardhash që hapnin krahët prej betoni. Si varka me vela që fryheshin nga një erë betoni.”

Dhe pastaj, ai shtoi me një humor të errët: “Dhe ishte një ndërtim i mallkuar që nga dita e parë.”

Ideja për një opera në Sidnej lindi në vitet 1940 nga një dirigjent i famshëm britanik, Sir Eugene Goossens, i cili kishte emigruar në Australi për të drejtuar “Konservatorin Shtetëror të Muzikës”. Goossens besonte se qyteti kishte nevojë për një hapësirë të denjë për artin dhe muzikën klasike, dhe syri i tij kishte pikasur një vend që ai e quante ideal: depoja e tramvajeve në “Bennelong Point”një vend i shenjtë për popullin indigjen Gadigal të kombit Eora, ku për mijëra vjet ishin mbajtur kremtime kulturore.

Në vitin 1955, falë presionit të vazhdueshëm të Goossens dhe mbështetjes së kryeministrit të Uellsit të Ri Jugor, Joseph Cahill, u shpall një konkurs ndërkombëtar për projektimin e ndërtesës. Kushti i vetëm? Të ishte diçka që nuk ishte parë ndonjëherë më parë.

Skandali që përmbysi themeluesin

Ironikisht, Goossens nuk do ta shihte kurrë ëndrrën e tij të përmbushur. Në vitin 1956, sapo ishte nderuar me titullin “Sir” në Britani, ai u arrestua në aeroportin e Sidnejit me fotografi komprometuese, materiale pornografike dhe maska të çuditshme. Skandali  që përfshinte elementë erotike dhe akuza për rituale okulte  e shkatërroi reputacionin e tij dhe e detyroi të largohej përgjithmonë nga Australia, nën pseudonimin “Zoti E. Gray”.

Në mesin e 233 projekteve të paraqitura në konkurs, fitues u shpall një arkitekt i panjohur nga Danimarka, Jørn Utzon. Pavarësisht mungesës së përvojës dhe projektit teknik të detajuar, skicat e tij rrëmbyen imagjinatën e jurisë.

Por fillimi optimist do të përplasej shpejt me realitetin. Ndërtimi nisi ndërkohë që projekti ende nuk ishte finalizuar dhe pa zgjidhje për sfidat strukturore të çative të lakuara. Në mungesë fondesh, qeveria hapi një lotari shtetërore për të financuar ndërtimin.

Çatia e famshme që sot duket si varka me vela mbi ujërat e portit  rezultoi e parealizueshme me teknologjinë e kohës. Zgjidhjet fillestare me çelik dhe beton krijonin probleme akustike dhe termike. Ndërkohë, themeli i vendit u shfaq i papërshtatshëm, duke kërkuar ndërhyrje masive me mbi 550 shtylla betoni për të mbajtur peshën e ndërtimit.

Arkitekti danez, Jørn Utzon

Problemet u shumuan dhe në vitin 1966, i lodhur nga ndërhyrjet politike dhe mungesa e mbështetjes, Utzon dha dorëheqjen dhe u largua nga Australia pa e parë kurrë veprën e tij të përfunduar.

Opera e Sidnejit u hap më në fund në vitin 1973, një dekadë pas afatit të parashikuar dhe me një kosto që kapërceu 100 milionë dollarë australianë , shumëfish më tepër se vlerësimi fillestar prej vetëm 7 milionësh. Por, pavarësisht gjithçkaje, ajo që nisi si një “tendë cirku e çoroditur” dhe një “pastice daneze” u shndërrua në një simbol të gjallë të imagjinatës njerëzore dhe forcës së vizionit artistik. Opera nuk është më vetëm një skenë koncertesh por edhe një kujtesë madhështore e faktit se arti i vërtetë kërkon guxim, sakrificë dhe shpesh, sfida

Burimi: BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë