Fatjon Rupi – Një emër i çuditshëm binte në sy në listën e Kombëtares U-15 në grumbullimin e fundit: Isak Alechenu. Një talent i vogël i lindur dhe i rritur në Shqipëri nga prindër të huaj? Po, nga prindër nigerianë, siç mund të kuptohet nga mbiemri. Nga një familje me lidhje të forta me futbollin dhe me Shqipërinë.

Isaku është djali i Abraham Alechenu, ish-lojtarit të shumë skuadrave në kampionatin shqiptar dhe që në një moment ishte shumë afër Kombëtares shqiptare. Edhe pas shkëputjes nga futbolli i luajtur, Abraham ka qëndruar në Shqipëri dhe jeton në Tiranë bashkë me familjen e tij.
Djali i tij, Isaku, ka rënë në sy që në moshë shumë të vogël për aftësitë e mira teknike, ai po rritet futbollistikisht te Dinamo Junior, ndërsa tani ka marrë edhe ftesën kuqezi nga Kombëtarja U-15, e drejtuar nga trajneri Armand Dama. Ftesën që babai nuk e mori dot, e ka marrë i biri, një tirans i vërtetë edhe me dokumenta. Ai po shkollohet në vendin tonë, ndërsa specialistët e shohin si një talent të madh, me të ardhme të sigurt në Kombëtare. Ashti si babai, edhe ai luan mbrojtës.

Abraham, lojtari-titull në Shqipëri
Abraham Alechenu është një nga të huajt e shumtë që kanë ardhur në Shqipëri pas viteve 2000. Nga një i panjohur, ai u shndërrua shpejt në njeriun-titull të kampionatit shqiptar, pasi kudo ku luante ai, vinte edhe titulli kampion. Nigeriani ka luajtur në pozicionin e mbrojtësit të majtë dhe është shpallur kampion i Shqipërisë me Elbasanin, Dinamon dhe Tiranën.
Nigeriani i lindur në Lagos mbërriti në Shqipëri për llogari të Gramozit të Ersekës, ku nuk mundi të përshtatej, ndoshta për shkak të ashpërsisë së Kategorisë së Dytë dhe kushteve të vështira klimaterike, sidomos gjatë dimrit, në qytetin e vogël juglindor. Më pas kaloi tek Apolonia, ku ra në sy për elesticitetin e tij dhe inkursionet individuale.

Abraham veshi pastaj fanellën e Elbasanit dhe në vitin 2006 fitoi titullin e parë në Shqipëri me këtë skuadër. Këtë sukses e përsëriti me fanellën e Dinamos dhe pastaj të Tiranës. Ka luajtur gjithashtu për Vllazninë, Flamurtarin, Besën, Kastriotin, Mamurrasin, Kamzën dhe Laçin. E njeh futbollin shqiptar shumë mirë dhe tashmë po i dhuron atij një talent të vërtetë.
Ëndrra kuqezi e sfumuar
Ish-mbrojtësi mund të kishte qenë pjesë e Kombëtares vite më parë. Atij iu premtua pasaporta shqiptare para se të firmoste për Tiranën. Në atë kohë u tha se klubi kryeqytetas do të shfrytëzonte lidhjen me ish-presidentin Bamir Topi – një tifoz i thekur bardheblu – për pajisjen me pasaportë shqiptare të Abrahamit, çka do të mundësonte veshjen kuqezi të tij. Nuk ndodhi kështu, ëndrra kuqezi e Abrahamit nuk u realizua, por është realizuar ajo e djalit të tij, Isakut.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




