Edhe pse qytetarëve nuk u është dashur të paguajnë për të vizituar Muzeun Kombëtar për festat e Nëntorit, tek-tuk sheh vizitorë në ambientet e tij.
Kanë qenë të shumtë qytetarët që kanë bërë rezervime në qytete të ndryshme, madje edhe jashtë Shqipërisë për të kaluar festat, ndërsa ata që i drejtohen muzeut, si destinacioni që lidhet drejtpërdrejt me festat e nëntorit, janë më së shumti pensionistë dhe grupe nxënësish nga shkollat.
“Shyqyr që erdhi kjo festë, të kujtohemi se kemi muze”, shprehet për Gazetasi.al 75-vjeçarja Liliana me profesion inxhiniere, të cilën e has në hyrje të Muzeut Kombëtar.
Pas shumë vitesh, ajo u është drejtuar dyerve të muzeut, së bashku me të shoqin për të vizituar nga afër pavijonet në kuadër të festës së Çlirimit të Shqipërisë.
Ndërsa, larmia e objekteve të ekspozuara në Muze synojnë gjatë gjithë vitit, të ofrojnë një panoramë gjithëpërfshirëse të kulturës materiale, duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve kryesore, edhe ata shqiptarë që “gjejnë kohë” për muze, e gjejnë vetëm për festa.
“Është Festa Kombëtare e Çlirimit dhe kemi kohë që s’kemi qenë në muze, pasi muzeu ka qenë jo në rinovim jo në rikonstruksion”, më thotë i shoqi i 75-vjeçares, edhe ai me profesion inxhinier, që sot kanë vendosur të vizitojnë gjithë Muzeun. Ata e quajnë destinacionin më të mirë të mundshëm për këtë ditë feste, të cilët edhe pse profesioni nuk i lidh me historinë duan të marrin edhe një shije estetike.
“Do qëndrojmë dy-tre orë”, vijon më tej ai. Tek e pyes se kur ka qenë hera e fundit që kanë vizituar muzeun, ata thotë se vijnë këtu vetëm për festa.
“Do e shohim të gjithë muzeun, kemi filluar këtu te pavioni i lashtësisë”, dhe shton se “hera e fundit ka qenë kur erdhi shpata dhe kapelja e Skënderbeut nga Vjena, para 9 vitesh me rastin e 100-vjetorit”.
Nëpër hollin e Muzeut Kombëtar, vëren edhe ndonjë vizitor tjetër duke kundruar ekspozitën që është hapur me rastin e Pavarësisë, e cila përmban ecurinë e ngjarjeve drejt pavarësisë së Shqipërisë, si edhe artefakte të firmëtarëve. Më së shumti, vizitorët i sheh të shoqëruar nga fëmijët.
“Erdhëm për t’i treguar ndonjë gjë djalit meqë ka dëgjuar në kopsht për ekspozitën dhe gjërat që mund të shohim në muze”, më thotë 30-vjeçari Agroni, i cili thekson faktin që nuk vijnë shpesh në muze dhe sot kanë ardhur vetëm për djalin.
Teksa ngjitem në katin e dytë, takoj vetëm një grup familjarësh që duken të apasionuar pas së shkuarës sonë. Ata janë bërë pjesë e këtij ambienti edhe ditën e djeshme, por janë rikthyer sërish sot, pasi nuk kanë mundur të vizitojnë të gjitha pavijonet.
“Ishim dhe dje. Kemi ardhur për festa përgjithësisht. Pjesën tjetër të vitit nuk vijmë. Dje ishim po nuk arritëm ta shikonim dot të gjithën”, shprehet për Gazeta Si një kryefamiljar rreth të pesëdhjetave, i cili ka marrë edhe fëmijët me vete për t’i njohur më afër me historinë e vendit tonë.
Përveç ekspozitës në katin e parë të Muzeut, pavijonet e tjera përmbajnë dokumente e dëshmi të periudhave të tjera si p.sh. të rezistencës kombëtare shqiptare, të Pavarësisë dhe themelimit të shtetit shqiptar.
Për një tjetër vizitore me profesion juriste, Muzeu është një vend, ku mund të marrësh informacion për historinë e një vendi në mënyrë të shpejtë përmes objekteve, shënimeve dhe të dhënave historike edhe pse nuk ka shumë njerëz që vijnë.
“Nuk e kisha vizituar më parë, shumë i bukur shumë gjëra për të parë. Kam qenë edhe në Vlorë, po shumë i vogël në krahasim me këtë. Këtu kur shikon objektet nga afër të krijohet tjetër ndjesi. Kur i ke lexuar në libër dhe kur i prek pastaj dhe kur sheh detajet krijon tjetër perceptim”, më thotë e surprizuar ajo me trashëgiminë tonë, ndërsa shton “Mendo pastaj për fëmijët që janë në fillimet e leximeve të tyre sa bukur do ju duket”.
Ajo që më shumti i mëshojnë fort edhe ata vizitorë të paktë është se duhet promovim dhe sensibilizim që ato të mos i drejtohen muzeut vetëm për festa, por edhe në ditë të tjera të vitit.
“Nëse ka gjëra të reja, ne vijmë se kemi nevojë të shohim”, thotë 75-vjeçarja Liliana.
“Muzeu jonë është diçka që edhe mund të krenohemi. Kam shkuar te pjesa e vendeve nordike që ata s’kanë histori fare dhe kanë gjithë ato muzeume. Ne duam të vijmë”, vijon ajo ndërsa ngre pyetjen “po ne a i promovojmë, a i ushqejmë fëmijët me këtë gjë?”
Nga vëzhgimi që Gazeta Si bëri në hollet e muzeut, pjesa më e madhe e vizitorëve të pranishëm sot ishin vendës, por ditën e djeshme ka pasur edhe të huaj, të cilët jo pak herë janë surprizuar nga trashëgimia jonë kulturore.
“Dje kishte dhe të huaj, por kanë mbizotëruar vendësit”, shprehet një punonjëse e Muzeut për Gazetën “Si”. Vizitorët më besnikë mbeten nxënësit e shkollave dhe kopshteve të shoqëruar nga mësuesit e tyre.
“Dje kemi pasur shumë grupe nxënësish me mësuesit që i shoqëronin. Ishte një atmosferë e veçantë, pasi kanë ardhur edhe me flamuj e veshje kombëtare. Nxënësit i kemi çdo vit të pranishëm. Por këtë vit ishin më shumë se vitin e kaluar. Vjet më pak, pasi ishim më të bllokuar nga pandemia”, vijon më tej ajo për Gazetën Si.
Muzeu Historik Kombëtar, edhe pse ndodhet në zemër të Tiranës, edhe njerëzit e paktë që i drejtohen dyerve të tij e kërkojnë të njohin më shumë për historinë e Shqipërisë, i sheh vetëm për festa...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.