Nga Gazeta 'Si' - Ndonëse vitin e shkuar, 25% e serave në vend u mbyllën, eksportet bujqësore ia dolën që të përshpejtonin rritjen duke prekur kuotën më të lartë ndonjëherë, në vlerën e 500 mln dollarëve.
Në dukje ngjan një paradoks, por ka disa përgjigjie që e shpjegojnë këtë situatë, të cilën Gazetasi.al i sjell përmes dy shembujsh fermerësh.
Selim Gjoni, jetën e tij ia ka përkushtuar bujqësisë e cila i siguronte fitimin e dëshiruar. Të paktën deri para pesë vitesh.
Në një fshat të Dibrës, në një sipërfaqe toke prej 6 dynymësh, kulturat kryesore ku ishte fokusuar ishin qepët, lakra, patatet dhe domatet. Tipike të zonës.
Nuk e kishte pasur kurrë të vështirë të gjente treg dhe të ardhurat tejkalonin kostot. Por mungesa e subvencioneve, amullia e politikës fiskale dhe së fundmi kostot e larta që nga pandemia, të nxitura më tej nga lufta në Ukrainë, e shtynë gradualisht drejt falimentimit.
“Fitimet më të mëdha i nxirrja me lakrën dhe qepët. Edhe patatet do përmendja, por ato kanë prodhim më të lartë në Kukës për shkak edhe të cilësisë së tokës atje. Në një sezon, kryesisht nga maji deri në tetor pasi kushtet klimatike në Dibër nuk janë aq favorizuese sa në zonën e Myzeqesë, prodhoja rreth 10 ton lakër ose qepë. Një kg lakër kushton 70 lekë, një kg e gjysmë e shisja 100 lekë. Nuk kam pasur kurrë probleme me fitimet. Ia vlente barra qiranë. Kjo deri para ca vitesh kur për shkak të mungesës së fuqisë punëtore fillova të prodhoja më pak dhe rrjedhimisht të shisja më pak. Të dy djemtë i kam jashtë shtetit dhe detyrohesha të merrja punëtorë për të përballuar të gjithë punët, por nisi një valë emigrimi i të rinjve në këtë zonë dhe nuk ia dilja dot i vetëm. Që në pandemi kostot u rritën, kryesisht të plehrave kimike duke më vështirësuar më tej punën”, thotë ai për Gazetasi.al.
“Fermerët duhet të subvencionohen për kilogramë”
I gjendur në një situatë të tillë, ai insiston që këto kosto do t’i uleshin nëse fermerët do të subvencionoheshin për kilogram, politikë bujqësore që sipas tij do të shtonte të mbjellat.
“Fermeri që punon serën duhet të subvencionohet për kilogramë jo siç thonë këto për dynim. Përse ai që nuk i punon sa ne serat dhe nuk jep të njëjtin rendiment duhet të marrë të njëjtën sasi subvencionesh”, vijon mandej Gjoni për Gazetasi.al ndërsa shton se prodhimi filloi të binte vit pas viti me 20%. Rrjedhimisht edhe fitimet.
Pas luftës së Ukrainës, situata u përmbys akoma më shumë dhe ai e vuri në pikëpyetje biznesin e tij. Kostot tashmë i tejkalonin të ardhurat.
Çmimet e plehrave u rriten edhe më tej, nga kostot më të larta për gazin natyror, një lëndë ushqyese kritike në prodhimin e plehrave me bazë azoti.
“Kishte gati dy vite që çmimet kanë qenë të rritura por arritën kulmin dhe kjo ishte një goditje e madhe për ne, pikërisht në periudhën kohore kur nis në masë përdorimi i tyre. Çmimi i Dap-it shkoi nga 5200/lekë në 7500. Dhe jo vetëm Dap-i. Ure-ja nga 3000lekë, shitet 6500 sot. Superfosfati dhe nitrati gjithashtu janë rritur.
Të mos flas pastaj që për hir të kualitetit shumë të dobët që kanë, ku ndryshe nga fermerët në Itali dhe në Greqi që i spërkasin të mbjellat e tyre vetëm një herë në fillim të sezonit, ne në Shqipëri i spërkasim tre ose katër herë.
Ndonjëherë nuk treten fare”, thotë më tej Gjoni për Gazetasi.al ndërsa shton se mosblerja e këtyre ul menjëherë rendimentin e serave.
Pas rritjes kaq të madhe të kostove dhe mungesës së subvencioneve, ai e pa më të arsyeshme të shkonte të punonte në serat e Siçilisë dhe të nxirrte me qira tokën e tij.
Dukuri shumë e përhapur gjatë vitit të shkuar kjo, kur tabelat për njoftimet e shitjes apo dhënies me qira të tokës sa vinin dhe përsërisin njëra-tjetrën, afishuar në toka të ndryshme bujqësore. Ngastrat u lanë djerrë.
Sipërfaqet e mbjella në serat e Myzeqesë ranë me mbi 25% sipas të dhënave të terrenit të grumbulluara nga fermerët, eksportuesit dhe tregtarët e inputeve. Luhatja e prodhimit bujqësor në zonën e Myzeqesë është sinjalizuesi më i qartë i inflacionit dhe çrregullimit të ekonomisë vendase sipas ekspertëve.
Por mes sfidave të shumta, pati edhe raste kur fermerët ia dolën të justifikonin kostot e larta dhe të mendonin edhe për të zgjeruar serat. Kryesisht në fshatra si Divjaka ku edhe për shkak të klimës më të butë, aktiviteti i serës mund të jetë më i madh se një herë, përgjatë vitit.
Një ndër ta është dhe Veli Muça. Ai mbjell vetëm bostanore, në dy serat e tij prej 300 metra katrorë.
Ndonëse edhe për të kostot dhe çmimet ishin të larta, ai ia doli që të nxirrte fitime dhe të mos i linte shalqinjtë të kalben në fusha, si shumë miq të tij.
“Çmimi i një kuintali uré u rrit me 50% në sezonin e fundit të mbjelljeve, ndërsa në të njëjtën masë u rritën çmimet e farave, fidanëve, plastmasës , hekurit, plehrave dhe pesticideve. Rritje të cilat ndodhën në një kohë kur prodhuesit tipikisht kishin pësuar humbje gjatë sezonit të dytë të mbjelljeve, si rrjedhojë e prodhimit jo cilësor nga fara e keqe. Por mua them se më shpëtoi eksporti”, vijon të tregojë Muça se si ia doli që të korrte sukses në një vit të pasuksesshëm për sektorin.
“Në fakt unë i dërgoj në një pikë grumbullimi që më pas i eksporton drejt Gjermanisë dhe Suedisë, atje ku një shalqi shitet rreth 5-6 euro. Kam disa vite që kam lidhur këtë kontratë dhe e kam furnizuar vazhdimisht. Por po të mos kesh pika grumbullimi dhe treg, zor se ia vlen të investosh në këtë sektor. Në një sezon të mbjellash prodhoja mesatarisht 30 ton shalqi. Nuk e kam shitur kurrë në rrugë siç bëhet rëndom në zonën tonë. Mbaja për konsum familjar dhe e dërgoja më pas në qendrën e grumbullimit. Nëse e shet më vete, një shalqi sidomos i mirë shitet me 10 lekë për kg”, thotë Muça për Gazetasi.al ndërsa shton se mendon që të ngrejë edhe një serë tjetër.
“Unë fëmijët me bujqësi i kam mbajtur dhe nuk dua që t’i dërgoj në emigrim. Për aq kohë sa kemi fitim këtu, le të investojë si unë. Ndaj po mendoj që të ngre edhe një serë tjetër. Si i thonë një muhabeti, lopa duhet mjelur sa e ke”, thekson ai duke iu referuar kontratës me pikën e grumbullimit duke shtuar që edhe djali i tij, ndan të njëjtin pasion për bujqësinë.
Ndërsa ndërmend shumë raste falimentimi të fermerëve të tjerë, ai thotë që në një vend ku shteti jep më pak subvencione se në gjithë vendet e rajonit, gurët e fatit duhet t’i luash vetë.
“Në të kundërt, nëse nuk di të luash, do paguash sa frëngu pulën”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.