Politike

Historia e bojkotit të Parlamentit nga ’91 deri sot

Bledar Hoti – Për afro tre dekada histori parlamentarizmi, që pas përmbysjes së regjimit komunist, në Shqipëri vendimet ekstreme të bojkotove kanë mbizotëruar dhe kanë qenë të ndërmarra si nga Partia Socialiste, ashtu edhe nga Partia Demokratike, dy forcat politike që drejtuar vendin përgjatë këtyre viteve të demokracisë.
Vendimi për djegin e mandateve i shpallur nga PD-ja nuk është zbatuar ndonjëherë më parë nga partitë politike, porse bojkoti i ndërmarrë nga rrezikuar ato. Qëndrimet ekstreme të partive janë marrë pas zgjedhjeve parlamentare.
Zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit të vitit 1991 u zhvilluan sipas sistemit maxhoritar të trashëguar nga e kaluara. Vendet në Kuvendin Popullor u ndanë si vijon: Partia e Punës 161 vende, Partia Demokratike 75 vende, OMONIA 5 vende dhe Komiteti Kombëtar i Veteranëve 1 vend.

Parlamenti i parë


Me 15 prill 1991 u mblodh Parlamenti i parë pluralist, mbas një periudhe 67-vjeçare. Në mbledhjen e parë të tij nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike. PD dërgon në sallë plenare vetëm Neritan Cekën, që largohet pasi mban një deklaratë politike duke protestuar ndaj vrasjes së 4 protestuesve në Shkodër, më 2 prill të 1991.
Bojkoti zgjat vetëm 3 ditë dhe demokratët bëhen pjesë e Parlamentit, por ky ishte rasti i parë i një bojkoti. PD më pas nisi grevat me anë të sindikatave në shkallë vendi, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme. Më pas kryeministri Fatos Nano dhe krijohet një qeveri e stabilitetit me kryeministër Ylli Bufin, e zv/kryeministër ishte Gramoz Pashko i PD-së. Pas 6 muajsh, kreu i PD-së, Sali Berisha vendos që të tërhiqet nga qeveria, gjë që bëri që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Nga e djathta ne te majte deputetet e PD Hazem Hajdari, Gramoz Pashko duke diskutuar, Neritan Ceka,Arben Imami dhe Sali Berisha ne Parlament. ATSH.Foto:P.Omeri


Zgjedhjet e 22 marsit 1992 u fituan nga Partia Demokratike duke marrë 62% të votave ndërsa Partia Socialiste morri 25%. Nga 140 vende të parlamentit PD kishte 92 vende (një më pak se shumica prej dy të tretat), PS 38 vende, PSD 7 vende dhe PBDNJ 2 vende. Duke krijuar një koalicion qeverisës me Partinë Socialdemokrate Partia Demokratike siguroi një shumicë mbi dy të tretat në Parlament. Sipas studimit të Shtetiëeb, veprimi i parë që bëri Kuvendi Popullor ishte miratimi i disa ndryshimeve në ligjin për dispozitat Kryesore Kushtetuese në lidhje me zgjedhjen e presidentit të Republikës dhe kompetencat e tij. Por Kuvendi Popullor i viteve 1992-1996 nuk arriti të miratojë Kushtetutën e vendit.

Zgjedhjet 26 majit 1996
Bojkoti i dytë, do të shënohej nga Partia Socialiste, e kjo pas zgjedhjeve parlamentare të 26 majit 1996. Në zgjedhjet që shoqëruan me manipulime të mëdha, si dhe me bojkotin e anëtarëve të PS-së në komisionet zgjedhore, nga 140 vendet e Parlamentit Partia Demokratike ka fituar 122 deputetë, Partia Socialiste – 10 deputetë, Partia Republikane – 3 deputetë, Balli Kombëtar – 2 deputetë, Bashkimi për të Drejtat e Njeriut – 3 deputetë. KQZ, pas thirrjes së ndërkombëtarëve për të përsëritur votimet në 40 zona, duke pranuar se kishte pasur parregullsi në votimet, vendosi që këto të përsëriteshin vetëm në 13 zona. Kjo nuk u pranua nga opozita, që kërkonte përsëritjen e plotë të zgjedhjeve, prandaj në votimet e 13 zonave që u bënë më 16 qershor 1996, opozita nuk morri pjesë.
PS nuk shkoi në Parlament dhe e bojkotoi atë. Në Kuvend u ul vetëm Sali Rexhepi, një mjek nga Librazhdi që kishte fituari kandidati i PS-së.
Kriza e ‘96, u pasua me rizgjedhjen e Berishës si president. Sistemi i Piramidave dhe shpërthimi i depove të armëve, revoltat popullore sollën më pas marrëveshjen politike 9 marsit 1997. Qeveria e PD-së, me kryeministër Aleksandër Meksin rrëzohet dhe formohet qeveria e Pajtimit Kombëtar, me kryeministër konsensual, kryebashkiakun e Gjirokastrës, Bashkim Finon.
Në zgjedhjet e 29 qershorit 1997, Partia Socialiste mori 52,71% të votave, Partia Demokratike 25.82%. Presidenti i Republikës Sali Berisha paraqiti dorëheqjen. Kuvendi Popullor i hapi punimet e tij më 23 korrik 1997, pa praninë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në fillim Partia Demokratike, ndonëse me rezerva, i miratoi rezultatet e zgjedhjeve si dhe Parlamentin e dalë prej tyre, por shumë shpejt ndryshoi qëndrim dhe vendosi t’i bojkotoj punimet e tij.
Vendi hyri në krizë një vit më pas, kur si pasojë e vrasjes së deputetit Azem Hajdari u zhvillua një kryengritje e armatosur kundër qeverisë. Forcat që ishin përkrahës të PD-së morën më 14 shtator të vitit 1997 sulmuan godinën e Radio Televizionit Shqiptar ku theksuan në fillim se morën dhe pushtetin; po më pas u tërhoqën. Kriza u zgjidh me rënien e qeverisë së Fatos Nanos dhe me caktimin e Pandeli Majkos si kryeministër. Më pas një marrëveshje politike, mes Majkos, Metës si përfaqësues të PS dhe Berishës dhe Pollos si përfaqësues të PD-së. Ky pakt solli futjen e opozitës në Parlament, duke bërë kështu që edhe demokratët të pranonin dhe Kushtetutën.

Zgjedhjet 2001
Bojkoti tjetër parlamentar do të ishte pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001. Zgjedhjet me sistemin parlamentar mazhoritar i dhanë një mandat të dytë PS-së. Kuvendi i hapi dyert më 3 shtator 2001, por në mungesë të opozitës, pasi PD-ja kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve, si dhe denoncoi fenomenin e Dushkut.
Pas këtij bojkoti në skenë doli pakti i ri politik PS dhe PD, ku parashikohej zgjedhja e Presidentit konsensual, duke u zgjodh njeriu i opozitës, si dhe një kryeprokuror i pëlqyer nga PD-ja, Theodhori Sollaku.

Zgjedhjet e 2005
Zgjedhjet e 2005 sollën rotacionin e pushtetit, PD-ja erdhi në pushtet. Përplasja mes socialistëve dhe demokratëve ndërkohë do të fokusohej më tepër në zgjedhjet lokale, ku PS-ja do të kërcënohej me mos pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.
Kriza politike do të rikthente më pas bojkotin e Parlamentit pas zgjedhje të 2009-ës. Kësaj here socialistët do të kërkonin hapjen e kutive, pasi akuzonin për manipulime të zgjedhjeve. 22 deputetët të opozitës do të futeshin në grevë urie. Ato të ngrinin edhe çadrën e tyre në bulevardin Dëshmorët e Kombit përpara kryeministrisë. Greva e Urisë së 22 deputetëve të PS-së dhe afro e 200 anëtarëve e simpatizantëve për 19 ditë në Tiranë. Ata kërkuan transparencën për zgjedhjet parlamentare të 2009. Hapja e kutive ishte lajtmotivi i thirrjes së opozitës, si dhe ato të qarkut të Fierit.

Kryetari i PS Edi Rama, duke takuar deputetet Arben Ahmetaj, Fatmir Xhafa, Blendi Klosi dhe Besnik Bare, bashke me deputete dhe 180 mbeshtetes te PS, ne vitin 2010


Ndërsa PD-ja në pushtet akuzonte të majtën se po synonte që të bllokonte procesin e liberalizimit të vizave.
Pas kësaj situate do të ishin ndërkombëtarët që do të ndërhynin për zgjidhjen e krizës politike. Për këtë europarlamentarët e majtë dhe të djathtë arritën që të ndërmjetësonin duke detyruar PS-në të mbyllte grevën të dilnin nga çadra dhe të diskutonin në Strasburg në restorantin e famshëm Krokodili.
“Të enjten në Strasburg përfaqësuesit më të lartë të së majtës dhe të djathtës europiane, me mbështetjen e të gjithë komunitetit ndërkombetar, presin në tryeze të dyja palët për të kërkuar zgjidhjen dhe për t’i hapur rrugën jo vetem transparencës, por edhe sfidave, përballjes me sfidat e integrimit. Unë dëshiroj të ndaj me ju bindjen se të gjithë bashke duhet t’i bëjmë ftese atyre qe janë ende në çadër për ta ndalur këtë greve”, u shpreh Rama në ditën kur do të mbyllej greva e urisë së deputetëve socialistë”, u shpreh Rama në ditën kur do të mbyllej greva e urisë së deputetëve socialistë.
Darka e famshme u zhvillua më 20 maj 2010 me protagonistë, ish-kryeministrin Sali Berisha, kreun socialist Edi Rama si dhe diplomatët evropianë, mes tyre nga PPE, PSE dhe BE. Por edhe pse solli rikthimin e opozitës në Parlament, darka e famshme nuk pati rezultat. “Nëse darka e ‘Krokodilit’ do të rezultonte me të vërtetë pozitive në atë kohë, ne do të kishim parë një progres edhe më të mirë sot. Ndonjëherë, përpiqesh të bësh më të mirën e mundshme. Mundohesh të krijosh kushtet për të tjerët që të merren vesh, por në disa raste, kjo nuk varen nga ty”, do të shprehej Stefan Fyle, komisioneri i KE për Zgjerimin në një intervistë për kanalin TCH.
Më pas ngjarjet do të vijonin me protestat e opozitës socialiste të asaj kohe. Ngjarja më e rëndë do të ishte ajo e 21 janarit 2011 ku pas protestës së opozitës u vranë 4 protestuesit e saj. Kriza politike arriti kulmin, Berisha do të akuzonte për një puç institucional, ndërsa socialistët pas disa ditësh bojkoti do të merrnin pjesë në Parlament. Ngjarja e 21 Janarit do të shërbente dhe si momenti i tensionit politik mes mazhorancës dhe opozitës, PD dhe PS, që jo pak raste mund të shoqërohej me bojkotimin e seancave nga ana e socialistëve.

Zgjedhjet e 2013-ës
Zgjedhjet parlamentare të 2013-ës do të sillnin në pushtet PS, së bashku me LSI-në, e cila u largua nga koalicioni me PD-në. Demokratët në opozitë do të drejtoheshin nga Lulzim Basha, pasi Sali Berisha jep dorëheqjen nga drejtimi i partisë.
Disa herë PD-ja në këto ndërmerrte vendime për bojkotime të seancave apo dhe komisioneve. Kjo u bë për shembull kur u përjashtua Berisha për 10 ditë nga Parlamenti. Por vendimi për bojkotin e Parlamentit që do të ishte edhe ekstrem do të ishte ai i majit 2017, ku opozita nisi protestën duke vendosur çadrën duke nisur protesta të përditshme. Gjithashtu kryedemokrati Lulzim Basha do të shpallte vendimin e PD-së se opozita nuk do të merrte pjesë në zgjedhje pa garantuar standardet zgjedhore. Vendimi për ngritjen e “Çadrës së Lirisë” u mor pas protestës që realizuan më 18 shkurt të vitit 2017.

Çadra e PD e ngritur para zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës


Kjo protestë do të zgjaste dy muaj, e që u shoqërua me bojkotin e Parlamentit nga ana e opozitës. Kriza politike e shfaqur solli ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, të cilët detyruan dy liderët kryesorë të partive Edi Rama të PS-së dhe Lulzim Basha të PD që të arrin më 17 maj një marrëveshje, pas një takimi “kokë më kokë”. Kjo solli futjen e PD-së në zgjedhje dhe krijimin e një qeverie me kryeministër Edi Ramën, por me mbajtjen e disa prej portfoleve kryesore si zv.kryeministër, ministër i Brendshëm, i Financave, Drejtësisë, Shëndetësisë dhe i Arsimit nga njerëz teknikë të propozuar nga PD-ja.

Rama dhe Basha duke i shtrënguar duart njëri-tjetrit pas takimit të 17 majit 2017


Basha do të mbyllte “Çadrën e lirisë”, duke deklaruar se opozita fitoi dhe ia arriti qëllimit.
Pas humbjes së zgjedhje të 2017-ës, PD-ja do të akuzonte opozitën për vjedhje të votave nëpërmjet bandave kriminale, duke rinisur në moment të caktuara bojkotin e Parlamentit. Vitin e kaluar opozita bojkoti për 6 muaj Kuvendit, ku rrezikoi madje dhe djegien e mandateve. Në fund të dhjetorit 2018, opozita u fut në seancë, duke shpëtuar mandatet e deputetëve. Tani sërish para zgjedhjeve lokale, PD-ja ka risjellë si strategji të sajën opsioni e bojkotit të Parlamentit, por kësaj here duke vendosur djegien e mandateve. Aksioni politik i djegies së mandateve synon që të realizojë çuarjen e vendit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë