Futboll

Historia e Atalantës, nga Seria B në Ligën e Kampionëve

Pas Juventusit dhe Napolit, skuadra e tretë italiane që shkon në Ligën e Kampionëve është Atalanta. Skuadra bergamaske siguron për herë të parë pjesëmarrjen në kompeticionin më të madh europian për klube.

Në 112 vite që nga themelimi, ky është suksesi më i madh i Atalantës që vetëm pak vite më parë ishte në Serinë B të futbollit italian. Do të ishte sezoni 2009-2010, kur Atalanta preku fundi duke u rrëzuar në Serinë B. Por kjo rënie shërbeu për mirë, pasi ishte katapluta që ‘detyroi’ këtë klub për të nisur një projekt nga e para, që do i çonte deri në këtë pikë. Klubi zikaltër nga Bergamo me një buxhet modest, përfundoi i shtati në 2017-18-ën dhe i katërti në sezonin e mëparshëm, megjithatë në atë kohë  nuk mundi të shkonte në Ligën e Kampionëve, pasi vetëm tre italiane shkonin në këtë kompeticion atë periudhë.

Rregullat ndryshuan për këtë sezon, por edhe forca e Atalantës, e cila mori përparësi të plotë mbi Interin dhe Milanin. Kolumbiani Duvan Zapata, i cili përfundoi sezonin si një nga golashënuesit më të mirë me 23 gola, shënoi në ndeshjen e së dielës para se Papu Gomez dhe mesfushori Mario Pasalic, i huazuar nga Çelsi, shtuan edhe dy gola të tjerë. Me 77 golat e saj, Atalanta vetëm Juventusin nuk mundi të mposhte për numrin e rrjetave të shënuara. Atalanta përfundoi me 69 pikë, përpara Interit që duhej të priste sekondën e fundit dhe disa herë dukej sikur do të dështonte në misionin e tij.

Hera e parë që nuk harrohet kurrë dhe, në rastin e Atalanta, hera e parë ka aromën e historisë. Nëse vitin e shkuar Gasperini dështoi me Atalantën e tij në play off-in e Europa League këtë herë duhet të bëjë gati një ekip që të jetë në gjendje të përballet me Real Madridit, Barcelonën, Sitin, PSG, Bajernin dhe shumë gjigantë të tjerë europian. Puna e parë për drejtuesit e Atalantës do të jetë pikërisht bindja e Gasperinit për të qëndruar në Bergamo dhe më pas e disa prej yjeve si Zapata, Palasiç. Në fluturimin e Atalantës për në Champions kanë qenë edhe dy shqiptarë, Gjimshiti si protagonist dhe në shumë ndeshje titullar dhe Berisha nga stoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë