Gazeta Si – Një 90-vjeçar italian kishte arritur të mbante të fshehur për 20 vjet një lidhje jashtëmartesore që kishte nisur me një shqiptare 48 vjet më të re, por u zbulua përmes një transferte bankare që ishte gati të kryente për gruan.
Historia, e cila zbulohet nga mediat italiane, ka si protagonist një ish-menaxher tashmë në pension, 90 vjeç dhe banues në Rimini, qyteti nga e ka origjinën, i cili ka punuar në pozicione prestigjioze në kompani të njohura kombëtare në të kaluarën.
Një njeri i pasur, që ka grumbulluar pasuri ndër vite, sa për ta lejuar të lundrojë në ujëra ekonomikisht të qeta dhe të kalojë krizat e shumta ekonomike që kanë ndodhur prej gjysmë shekulli pa u fundosur kurrë.
Por, marrëdhënia e tyre do të zbulohej kur ai, i moshuari, do të bënte një transfertë përmes një llogarie rrjedhëse prej 40 mijë eurosh për ish-të dashurën e tij nga Shqipëria, e cila tani është 42 vjeçe dhe në kohën e njohjes së tyre, në vitin 2000, ajo ishte vetëm 22.
Fakt është se “dhurimi” që do të bënte 90-vjeçari italian, alarmoi menjëherë familjen e tij, i cili është i martuar dhe jeton me gruan, por që e bindi të bijën të denonconte shqiptaren të akuzuar për “abuzim me gjendjen e dobësisë ose të mangësisë mendore” të një personi të paaftë, sipas nenit 643 të Kodit Penal Italian.
Prokuroria e Riminit – me prokurorin e çështjes, Davide Ercolani – pas kallëzimit të bërë në fillim të kësaj vere, bllokoi menjëherë llogaritë bankare të 90-vjeçarit dhe 42-vjeçares me urdhër sekuestrimi provash.
Pas vendimit të prokurorisë, rezultati është ai që pritej: i moshuari nuk mund të kryejë transferta bankare dhe shqiptarja nuk mund t'i marrë ato.
Për mbrojtjen e gruas, e përfaqësuar nga avokati Maurizio Ghinelli. 42-vjeçarja, tashmë e martuar dhe nënë, nuk ka kryer veprën penale të “shmangies së personit të paaftë”.
Gjithnjë sipas mediave italiane, ata që e njohin ish-sipërmarrësin, e përshkruajnë si një person të vendosur, i aftë për të mos u “ngacmuar”, si në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen.
E sigurt është se të dy janë takuar në vitin 2004, në një lokal në qendër të Riminit, ku menaxheri i atëhershëm, ende në karrierë, kishte shkuar për të ngrënë mëngjes.
Ajo, gruaja shqiptare me të cilën ai ra në dashuri, punonte si banakiere, një punë e rastësishme në pritje të fateve më të mira, aq sa sot 42-vjeçarja është një punonjëse e specializuar.
Kështu, ish-menaxheri u bë klient i rregullt i atij lokali dhe brenda pak muajsh ata të dy krijuan një lidhje, e mbajtur mirë e fshehur falë angazhimeve të tij në punë, gjë që e bëri të udhëtonte në të gjithë Italinë.
Ish-menaxheri nuk e kishte të vështirë të justifikonte disa mungesa të shumta në familja, edhe pse e dashura e ndiqte shpesh në udhëtime pune.
Nuk ka dyshime, siç pranoi edhe mbrojtja e gruas në gjyq, se ai i ka dhënë asaj dhurata të të gjitha llojeve, si udhëtime dhe rroba.
Sipas avokates mbrojtëse të vajzës së të moshuarit, e përfaqësuar nga Giovanna Ollà, e cila denoncoi ish-të dashurën e babait të saj, me kalimin e kohës ato dhurime u bënë gjithnjë e më të shpeshta dhe madje bujare, me një vlerë të llogaritur në 200 mijë euro.
Sipas familjarëve të 90-vjeçarit, gruaja shqiptare (inicialet apo emri i të cilës nuk publikohet), e ka mashtruar të dashurin e saj, duke përfituar nga mosha e tij, veçanërisht kohët e fundit, duke e bindur që t'i jepte dhurata dhe para.
Pas kallëzimit të së bijës, siç bën me dije avokati i shqiptares, Ghinelli, burri italian është inatosur dhe prekur në sedër, duke e konsideruar akuzën e “paaftësisë mendore” të ngritur nga familja e tij, si ofenduese dhe që nuk korrespondon me të vërtetën.
Ndërkohë, Prokuroria e Riminit, ka udhëzuar Prof. Renato Ariatti-n për të kryer një vlerësim psikiatrik dhe psikologjik për burrin, i cili tashmë është vizituar në Bolonja.
Të dyja palët presin me padurim raportin e konsulentit të emëruar, i cili duhet të mbërrijë së shpejti dhe sipas asaj që raportojnë mediat italiane, do të jetë ekuilibri që do të zgjidhë mosmarrëveshjen.
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.