Ana e errët

Histori penale të bixhozit, nga skedinat on line te lojërat klandestine me zara si në komunizëm

Nuk ka  mbushur 22 vjeç, por kartela e tij gjyqësore është ngarkuar me një vendim që e shpalli fajtor dhe e dënoi me një vit burg për organizim të lojërave të fatit.

I riu punon kamerier dhe zbulimi i tij u krye nga Sektori i  Kontrollit të Drejtorisë Operacionale të Kontrollit dhe Masave Shtrënguese pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Punonte në bar kafe “N”, që gjendet në rrugën “Johan von Hahn”. M.H., ishte i vetmi punonjës që u gjet pranë laptopit për të cilin patrullat mbas këqyrjes konstatuan.

“Kompjuteri laptop i markës ‘Asus’, i cili ishte i hapur, pasi është klikuar nga ana e inspektorëve në ‘Google history’, është gjendur uebsite m.libra365.com faqja e bastit, në të cilën rezultoi se është luajtur në mënyrë të vazhdueshme. Bileta e fundit është luajtur më orën 16:01”, -´shkruhet në procesverbalin përkatës, për të cilin janë njoftuar forcat e rendit për të kryer hetimet penale.

Një oficer i policisë gjyqësore, që përpiloi dokumentet në funksion të hetimit për lojërat e palejuara, deklaron se fillimisht u pyet E.I., që është administrator i bar kafenesë.

“Subjektin e kam marrë me qira në  vitin 2018. Nuk kam asnjë dijeni të faktit të përdorimit të kësaj faqeje interneti për lojërat e fatit, pasi kompjuteri përdoret për muzikë për lokalin”, - dëshmoi administratori. Ndërkohë, hetimet i ka zbardhur kamerieri, që ka pranuar se e kishte hapur faqen e internetit për të luajtur.

“Këtë veprim e kam kryer për të nxjerrë ndonjë përfitim material, pasi nuk më mjafton për të jetuar paga mujore si kamerier”, - justifikoi të tjerët i riu.

Megjithatë, duke u mjaftuar me këtë deklaratë, nuk u krye asnjë verifikim tjetër dhe sipas policisë, ndaj M.H., u ngrit akuza sipas nenit 197/1 të Kodit Penal, që përcakton se: “Organizmi i lotarive, lojërave të fatit apo bixhozit, në kundërshtim me dispozitat ligjore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj”.

Zaret që tradhtuan baristin

I vetmi hetim i kryer për lojërat e palejuara të fatit, është mbajtur gati dy vite më parë nga prokuroria e kryeqytetit, ku përmes përgjimeve, u zbulua skema e porositjes së basteve online, dërgimit të mesazheve për këto porosi, nga ku dolën në dritë të dyshuar që më herët kishin drejtuar subjekte të lojërave të fatit.

Ndërkohë, që pas ndryshimeve ligjore që ashpërsoi qëndrimin e drejtësisë për lojërat e fatit, policia vijon të kryejë kontrolle fizike, pa vëzhgim dhe pa hetim parandalues, duke e minimizuar hetimin tek persona rastësorë.

Siç ka raportuar edhe më herët Gazetasi.al, duke iu referuar historikut të drejtësisë gjatë diktaturës, bixhozi dhe çfarëdo loje për qëllime fitimi, ishte një krim i dënueshëm edhe gjatë komunizmit, por që nuk u pa e pamundur për t’u parandaluar.

Në dosjet që Gazetasi.al, disponon tregohet se si policia në kryeqytet arrestoi shtetasin L.O., pasi në rrugën “Besnik Hidri”, pranë Bregut të Lumit, iu gjetën tre bilardo.

Policia detajon në fashikullin e hetimit se “nga këqyrja me imtësi e ambientit nga brenda në njërën prej bilardove, është gjetur një batanije e kapur me kornizë druri anësore, si dhe dy gota e dy zare brenda”.

Pikërisht për këto zare, policia e dërgoi të riun në komisariat, ku dhe e vendosi nën procedurë hetimore për zaret e pajustifikuara. Sipas njërit prej burimeve, L.O., shfaqet i habitur dhe i bën apel policisë për kujdes.

“Këtë ambient e kam marrë për të ushtruar lojërat e bilardos dhe këto nuk janë lojëra fati”. Policia e pyet burrin: “Po zaret, cili është shpjegimi yt?” L.O., përgjigjet: “Zaret i gjeta kur po pastroja bilardon me shokun tim A.K.”.

Megjithatë, të bindur se L.O., po luante me ta, policia mësohet se i dërgoi kërkesë për informacion autoritetit të mbikëqyrjes së lojërave të fatit, ku ky i fundit bën me dije se i dyshuari nuk ishte i pajisur me asnjë licencë për të ushtruar aktivitetin e lojërave të fatit. Në këto kushte, policia shkruan në procesverbal “u sekuestruan zaret dhe gotat që shërbejnë për përzierjen e tyre”.

Pak javë më vonë, në të njëjtin ambient, burimet e Gazetasi.al, tregojnë se policia është rikthyer sërish. Dhe sërish janë gjetur zare të tjerë.

“Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, u gjetën përsëri një batanije e kapur me kornizë druri, si dhe dy zare e filxhanë kafeje që shërbenin për përzierjen e zareve”.

Kësaj radhe, policia shkruan se është bindur që L.O., luante lojëra fati. Shpjegimi sipas policisë është si vijon.   

“Në kushtet kur Policia Gjyqësore, kishte sekuestruar zaret dhe L.O., e kishte të qartë se batanija e kapur në kornizë druri, e zaret mbi bilardo krijonin dyshime për organizim lojërash fati, përsëritja e të njëjtës fabul, në një datë të mëvonshme me një palë zare të tjerë, tregon se ky shtetas organizon vërtet lojëra fati”.

Pas këtij dekonspirimi ndaj tij, u ngrit akuza e organizimit të lojërave të fatit, megjithëse ai e ka mohuar për herë të dytë dijeninë dhe përfshirjen e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë