Kosova

Hiqni ‘sanksionet’ e Kosovës / Kërkesa e 12 vendeve europiane drejtuar BE-së

Nga Gazeta ‘Si’- Kryesues të Komisioneve të Punëve të Jashtme të parlamenteve të 12 vendeve europiane përmes një deklarate të përbashkët drejtuar Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme Josep Borrell dhe përfaqësuesit special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, kanë kërkuar të hiqen të gjithë sanksionet ndaj Kosovës.

Ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Iliri Kapiti ka publikuar këtë letër dhe nëpërmjet një njoftimi në X ka falënderuar deputeten britanike Alicia Kearns që ka marrë drejtimin në këtë çështje të rëndësishme.

Në deklaratën e përbashkët, drejtuesit e komisioneve parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë, Kroacisë, Çekisë, Republikës së Irlandës, Belgjikës, Bullgarisë dhe Danimarkës, theksojnë se bojkotimi i zgjedhjeve komunale të 23 prillit me kërkesë të Listës Serbe, sulmi ndaj KFOR-it më 29 maj, ndalimi i paligjshëm i zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet serbe më 14 qershor, dhe sulmi në Banjskë më 24 shtator zbulojnë një skemë agresioni që ka për synim minimin dhe destabilizimin e Kosovës.

“Është jetike që komuniteti ndërkombëtar të refuzojë agresionin dhe të riafirmojë mbështetjen për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës” – thuhet në kërkesën e tyre.

Po ashtu, në letër kanë përmendur edhe sulmin kundër Policisë së Kosovës nga një grup prej dhjetëra personash të armatosur në Banjskë të Zveçanit, të udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, më 24 shtator.

Ata thonë se ky sulm shënoi një përshkallëzim të rëndësishëm. Sipas tyre, situata mund të kishte kaluar lehtësisht në një përshkallëzim më të gjerë po të mos ishte profesionalizmi dhe guximi i Policisë së Kosovës.

“Sasia dhe lloji i armatimit të konfiskuar pas sulmit ngre pyetje serioze se çfarë roli mund të ketë pasur shteti serb në mbështetjen e operacionit” – thuhet në deklaratë.

Nënshkruesit e deklaratës u bëjnë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar që të ndërmarrin një hetim të plotë mbi sulmin në Banjskë dhe të angazhohen për publikimin e rezultateve.

Në muajin qershor, Bashkimi Europian ka vendosur masa kufizuese ndaj Kosovës si pasojë e rritjes së tensioneve në veri të vendit gjatë muajit maj. Tensionet ishin rritur që nga 24 maji, ditë kur kryetarët shqiptarë të katër komunave të veriut ishin vendosur në objektet komunale pas zgjedhjeve të mbajtura në prill.

Ky veprim u kundërshtua nga protestuesit e komunitetit serb, të cilët më 29 maj sulmuan edhe me armë zjarri ushtarët e KFOR-it, policët dhe gazetarët që përcillnin ngjarjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë