Sociale

Hiqet karantina për emigrantët, studentët kthehen në auditore për provime e konsultime

Komiteti Teknik i Ekspertëve analizoi situatën epidemiologjike nga Covid-19 dhe duke u bazuar te rënia e numrit të infektimeve me 26.6 raste për 100 mijë banorë dhe fataliteteve, vendosi që do të hiqet karantina dy javore për personat që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut. Gjithashtu një tjetër masë që do të hiqet në ditët në vijim është edhe ndalimi i studenteve në auditore. Ministrja Manastirliu shpjegoi se studentët do të kthehen në auditore vetëm për konsultime dhe provime, por duke respektuar rreptësisht masat e frenimit të përhapjes së Covid-19.

Me tej Ministrja shpjegoi se kemi rënie të pozitivitetit total me 3.8%, numri i të shtruarve është ulur në 116 të shtruar krahasuar me javën e ardhshme.

Ndërkohë do të mbeten në fuqi masat e ndalimit të grumbullimeve dhe ora policore 22:00 deri në orën 6:00.

Manastirliu tha se deri më tani nuk ka asnjë vendim nga vendet e BE-së, lidhur me lëvizjen e qytetarëve në varësi të llojit të vaksinës që kanë kryer.

Duke shpjeguar në shifra situatën epidemiologjike, Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino tha se përqindja e pozitivitetit ka arritur nën 5%. Diçka që sipas ekspertes nuk ka ndodhur më parë në vendin tonë.

“Incidenca e rasteve është e ulët në të gjitha Bashkitë e mëdha, përveç Lezhës e Kukësit. Vaksinimi ka ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e vdekshmërisë, dhe Gjirokastra deri tani ka mbulesën më të lartë vaksinale për shkak dhe të popullsisë më të moshuar. Qarqet e tjera janë, Vlora, Fieri, por mbrapa nuk ngelet as Tirana. Dua të them që vaksinimi po ecën me ritme të shpejta, dhe strategjia që kemi ndjekur, mbushjen e popullatës me dozën e parë, shembull nga Britania e Madhe, është strategji që duket se ka sukses”, ka shpjeguar Bino.

Më tej ekspertja e ISHP shtoi se vdekjet janë mbi 60 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë