Policia e Tiranës ka finalizuar pas një pune disamujore, operacionin e koduar “Investitori”, duke ndaluar një 49-vjeçare me akuzën për mashtrim.
49-vjeçarja Adelina Haxhiraj figuron me precedentë të mëparshëm penal për veprën penale “Mashtrimi”.
“Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nisur nga kallëzimet e bëra nga disa qytetarë të ndryshëm për një shtetase e cila hiqej si investitore duke iu marrë shuma të konsiderueshme parash shtetasve të ndryshëm duke ju premtuar klering/ ndërrim apartamente, njësi shërbimi, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Investitori’, si rezultat i të cilit u ndalua shtetasja Adelina Haxhiraj, 49 vjeçe, e dënuar më parë për veprën penale ‘Mashtrimi’”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, 49-vjeçarja në rolin e investitores iu ka marrë shuma të konsiderueshme rreth 200 milionë lekë të vjetra shtetasve të ndryshëm, duke iu premtuar si klering/ndërrim apartamente, njësi shërbimi, hekur në funksion të ndërtimeve të pallateve apo pajisje me gabina elektrike të tensionit të lartë në funksion të pallateve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




