Shendet

Hipotermia tani është një urgjencë mjekësore, shenjat që e tregojnë dhe si të shmanget

Nëse jeni të ekspozuar ndaj temperaturës shumë të ftohtë për një kohë të gjatë, temperatura e trupit tuaj mund të bjerë në një nivel të rrezikshëm dhe të çojë në Hipotermi.

Ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave të ftohta mund të çojë në hipotermi, një gjendje që ndodh kur temperatura e trupit bie nën 35 gradë. (Temperatura normale e trupit është rreth 37 gradë).

Trupi e humbet nxehtësinë më shpejt se sa e prodhon kur njerëzit janë të ekspozuar ndaj temperaturës shumë të ftohtë për një kohë të gjatë, duke rezultuar në një rënie të rrezikshme të temperaturës së trupit. Mund të ndodhë edhe nga zhytja në ujë të ftohtë ose nga lagja në shi. CDC shkruan se hipotermia është një urgjencë mjekësore dhe kërkon kujdes të menjëhershëm mjekësor.

Simptomat e hipotermisë

Sipas CDC-së, shenjat dhe simptomat e hipotermisë përfshijnë dridhje, ndjesinë e lodhjes, konfuzion, dridhje duarsh, humbje të kujtesës, të të folurës dhe përgjumje.

Foshnjat që flenë në dhoma gjumi të ftohta janë në rrezik të lartë të hipotermisë.

CDC shkruan se cdo person që vëren ndonjë shenjë të hipotermisë, së pari duhet të kontrollojë temperaturën. Nëse temperatura është nën 35 gradë, duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, menjëherë trupi i personit duhet të ngrohet.

“Mos prisni, menjëherë filloni të ngrohni trupin e personit që po klon në hipotermi”, shkruan CDC.

Si fillim personi duhet të futet në një dhomë të ngrohtë sa më shpejt të jetë e mundur.

Më pas hiqini rrobat e lagura që ka veshur dhe mundohuni të ngrohni trupin e personit. Pjesët kryesore që duhet të ngrohen janë gjoksi, qafa, koka dhe ijët.

Gjithashtu mund të përdorni shtresa batanije dhe të përfshini kontaktin lëkurë me lëkurë.

Një pije e ngrohtë do të ndihmonte gjithashtu por nëse personi është pa ndjenja, CDC këshillon që të shmangen pijet, sidomos alkooliket.

“Në raste të rënda, një person që përjeton hipotermi mund të humbë ndjenjat. Në një rast të tillë, viktima duhet të trajtohet me kujdes dhe të marrë ndihmë urgjente sa më parë”, thotë CDC.

Pasojat e hipotermisë së patrajtuar

Rënia e temperaturës së trupit mund të ndërpresë funksionimin normal të zemrës, sistemit nervor dhe organeve të tjera. Hipotermia e patrajtuar madje mund të shkaktojë dështim të plotë të zemrës dhe sistemit të frymëmarrjes dhe të çojë në vdekje.

Kush janë më të rrezikuarit?

Shpesh viktima të hipotermisë janë të moshuarit, fëmijët e vegjël, njerëzit me një sëmundje mendore si Alzheimer, njerëzit që janë të varur nga alkooli dhe përdorimi i drogës dhe ata me probleme të caktuara mjekësore që ndikojnë në aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën si anoreksia, diabeti, goditja në tru, artriti i rëndë, sëmundja e Parkinsonit dhe lëndimet e palcës kurrizore. CDC shkruan se disa ilaçe mund të ndikojnë gjithashtu në aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën e tij dhe për të rritur rrezikun e hipotermisë. Këto përfshijnë antidepresantët, antipsikotikët, medikamentet kundër dhimbjeve dhe qetësueset.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë