Është një fëmijë hiperaktiv, ka mungesë vëmendje apo është fëmijë impulsiv? Apo vuan nga çrregullimi i ADHD? Këto i ndan vetëm një vijë e hollë dhe ndodh që çdokush të ngatërrojnë simptomat.
Psikologe Arjana Dengu thotë për Gazetasi.al se hiperaktiviteti dhe ADHD në vendin tonë ngatërrohen shumë, “madje janë normale për ne si vend pasi as nuk i quajmë si problem”.
Dengu shpjegon se ADHD është një çrregullim neurologjik që zhvillohet gjatë fëmijërisë dhe mund të vazhdojë deri në moshën madhore.
“Komponenti i “defiçitit të vëmendjes” i ADHD i referohet mungesës së vëmendjes, ose vështirësisë për t’u fokusuar për periudha të gjata dhe të qenit lehtësisht të shpërqendrueshëm”. Pjesa e “hiperaktivitetit” të ADHD përdoret për të përshkruar sjelljen që është shqetësuese dhe e vështirë për t’i rezistuar. Individët hiperaktivë shpesh duken sikur duhet të lëvizin. Ata janë pothuajse në lëvizje të vazhdueshme dhe shpesh bëjnë zhurmë të tepërt.

Kur impulsiviteti shoqërohet me hiperaktivitet, personi duket se vepron pa menduar ose qëllim paraprak. Sjelljet impulsive janë shpesh ndërhyrëse, të vrazhda dhe të rrezikshme, ndonjëherë duke rezultuar në aksidente.
Simptomat e vërteta të ADHD-se janë afatgjata dhe mjaft të rënda për të dëmtuar funksionimin e përditshëm të dikujt. Simptomat e fëmijërisë gjithashtu mund të ndryshojnë gjatë gjithë jetëgjatësisë; disa zbehen (për shembull hiperaktivitet i zvogëluar) ndërsa te të rriturit mund të shprehen ndryshe (për shembull, çorganizimi kronik mund të rezultojë në shkarkimin nga puna).
Dengu tregon se ADHD e të rriturve është më e zakonshme sesa mendohej fillimisht.
Për disa të rritur me ADHD, çrregullimi mund të mos perceptohet si krejtësisht negativ. Shumë individë raportojne se aspektet e ADHD-së së tyre janë të rëndësishme për personalitetin e tyre. Disa të rritur me ADHD mund të kenë funksionim të lartë dhe mund të mos paraqesin një model tipik të demtimeve funksionale në jetën e tyre të përditshme. Përveç kësaj, disa individë mund të zhvillojnë aftësi adaptive ose kompensuese për të maskuar problemet e dukshme të sjelljes që lidhen me ADHD dhe mund të gjejnë punë që i përshtatet profilit të tyre të simptomave.
Si ndikojnë perceptimet familjare dhe kulturore në pranimin e një diagnoze të ADHD?
“ADHD ndodh për shkak të faktorëve të shumtë, si gjenetikë dhe faktorë mjedisorë ose socialë”, thotë Dengu e cila shton se kultura ndikon në të njëjtat fusha që janë thelbësore për shëndetin mendor, të tilla si sjellja, toleranca, gjuha, emocionet, vëmendja, lidhja, përvojat traumatike, sjellja, personaliteti, motivimi, vendosja e kufijve dhe aspekte të tjera të prindërimit dhe rritjes së fëmijëve.
Për të shpjeguar shkallën e diagnostikimit të ADHD, është e nevojshme një perspektivë kulturore. “Në kulturën tonë shumë faktorë ndikojnë negativisht në shëndetin mendor të fëmijëve dhe familjeve të tyre. Këto përfshijnë humbjen e mbështetjes së gjerë të familjes, presionin mbi shkollat, prishjen e autoritetit moral të të rriturve, jeta familjare është e zënë dhe ‘hiperaktive’”.
Faktorët psikodinamikë dhe atashues në gjenezën e ADHD nuk kanë marrë deri më tani vëmendjen që meritojnë, tregon Dengu e cila shton se përveç kësaj, kur traditat, besimet dhe zakonet ndikojnë në përkufizime të caktuar, tendenca e një pacienti ose familja për të kërkuar ndihmë për gjendjen mund të zbehet, të lidhura me bindjet se sjellja e lidhur me ADHD do të zgjidhej vetë. “Prindërit mund të mendojnë se sjellja e fëmijës së tyre është pjesë normale e rritjes”.
Psikologe Mariglena Muçi thotë se ADHD shfaqet më tepër rreth moshës 6-18 vjec, me një përhapje prej 2-4% në grupmoshën shkollore.
Ka tre lloje të ADHD:
1. Tipi i dominuar nga mungesa e vëmendjes
2. Tipi i dominuar nga hiperaktiviteti dhe impulsiviteti
3. Tipi i kombinuar
“Nisur që këtu kuptojmë dhe ndryshimin, që tregon se ADHD është një çrregullim neurobiologjik, kurse hiperaktiviteti është një nga simptomat e tij”. Prandaj shpesh këto terma ngatërrohen me njëri- tjetrin. Madje, Muçi tregon se në vendin tonë, ku ka dhe mungesë informacioni, mungesë të trajnimeve të specializuara etj, janë më të shpeshta rastet e ngatërrimit. Mund të dëgjojmë shumë prindër ose mësues që thonë “ky fëmijë është hiperaktiv”, ose “ky fëmijë ka ADHD”, por ato nuk janë e njëjta gjë. Një fëmijë mund të jet i shkathët, aktiv, i lëvizshëm, i shpërqendruar, por nuk do të thotë se ka patjetër ADHD. Kjo varet nga spektri psikologjik, personaliteti i fëmijës, tipi, karakteri, ambjenti ku jeton, edukimi që merr në familje etj, dhe ai mund të shfaqë sjellje të ndryshme, thotë Muci. Ashtu sic mund të jetë një shumë i shkathët, një tjetër mund të jetë më pak, mund të jetë më i tërhequr etj.

Muçi shpjegon se fëmija duhet të shfaqë disa simptoma klinike të përcaktuara sipas DSM-V dhe të bëhet vlerësimi sipas ekzaminimeve mjekësore, intervistave klinike, shkallë sjellore, vëzhgimit të sjelljes etj, që përcaktohet diagnoza në një nga llojet e ADHD.
“Pra, nuk duhet të ngatërrojmë të qenit i shkathët ose hiperaktiv me ADHD. Hiperaktiviteti është një simptomë e ADHD, por kur shoqërohet me implusivitet, mungesë vëmendje dhe një sërë simptomash të tjera klinike”. Nëse nuk shoqërohet me simptomat e tjera, nuk do të thotë se është ADHD.
Muçi nënvizon se nuk është mirë të bëhen përgjithësime apo të përdoren terma (qoftë edhe si trend i kohës), pa ditur mirë kuptimin apo pse emertohen si të tilla. Megjithatë, sipas Muçit, gjendja dhe shoqëria po shkon drejt ndryshimit, duke parë që po rritet dhe forcohet më shumë roli i psikologut, punonjësit social, sociologut etj., në çerdhe, kopshte, shkolla. Por, një rëndësi të veçantë ka dhe media dhe gjithë mjetet e komunikimiv masiv, interneti etj, që mund të përforcojnë marrjen e informacioneve.
“Duhet të punohet shumë me prindërit pasi prinderit sepse shumica e tyre nuk kanë informacion ose edhe nëse kanë (të marrë nëpërmjet internetit) e kanë të gabuar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



