Nga Gazeta Si- Prej ditësh tashmë, jugu është nën flakë, ku jo pak herë janë rrezikuar edhe jetë njerëzish.
Himara vijon të digjet nga flakët, të cilët një ditë më parë rrezikuan edhe banorët në dy fshatra, Kalasë e Sasaj, të cilët u evakuuan. Aktualisht raportohet për vatra aktive në fshatin Sasaj, tre vatra në Lukovë dhe një vatër në Shën Vasil.
Në terren u angazhuan 9 mjete zjarrfikëse, një ambulancë, helikopterët e FA dhe avioni canadair italian.
Zjarri vijon edhe në Parkun Kombëtar të Prespës, ndërsa 150 forca janë në terren dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.
Perfekti Nertil Jole thotë se janë favorizuar edhe nga ulja e temperaturave. Deri më tani llogaritet rreth 7 ha sipërfaqe me bimësi që është djegur nga flakët.
Edhe në zonën e Kalasës, Njësia Administrative Vergo, zjarri është përqendruar vetëm në majën e malit mbi Kalasë, ndërsa një banesë e braktisur është raportuar si e djegur.
Në Bjeshkën e Rahovicës, Malësi e Madhe, pranë kufirit me Malin e Zi, vijon të mbetet aktive vatra e zjarrit e rënë në një sipërfaqe me pyje. Terreni i thyer e bënë të vështirë ndërhyrjen, dhe zjarri ka marrë përmasa.
Në fshatin Fang, njësia administrative Rubik, është e pamundur ndërhyrja për shkak të pjerrësisë së madhe të shpatit të malit, të veshur me dëllinja, që favorizojnë zjarrin.
Në fshatin Ibë, Tiranë, aktualisht janë aktive 3 vatra zjarri.
Pjesa më e madhe e zjarreve dyshohet se vendosen në mënyrë të qëllimshme ose nga pakujdesia. Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Vaun e Dejës, ku Policia e Shkodrës ka arrestuar pas një person të dyshuar.
I arrestuari është L. Rr., 80 vjeç, banor i kësaj zone dhe sipas policisë dyshohet se e ka kryer herë pas here një veprim të ngjashëm kohët e fundit. Ai akuzohet se ndezi zjarr ditën e djeshme në varrezat e fshatit Barbullush dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme toke me shkurre. Nga flakët nuk u dëmtuan varrezat dhe vatra u shua në kohë, pa u përhap.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 34 vatra zjarri nga të cilat 17 janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



