Nga Gazeta ‘Si’-Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se qeveria e SHBA-së pret që Kosova t’i përmbushë të gjitha obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit.
Në një intervistë për gazetën serbe “Blic”, Hill ka thënë po ashtu se Kosova dëshiron të anëtarësohet në BE, mirëpo për ta bërë këtë, duhet “ta kalojë gjithë procesin”.
“Sa i përket dëshirës së Kosovës dhe aplikimit të saj në Këshillin e Evropës, do të flitet shumë, do të ketë një debat të gjallë dhe në një farë mënyre e gjitha është e lidhur me Marrëveshjen e Ohrit. Marrëveshja e Ohrit vendos disa detyrime e kërkesa nga të dyja palët, kështu që ne duhet të shohim se si do të shkojë, por sigurisht që ata duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, mendoj se kjo është e qartë për të gjithë ne, por ata duhet ta kalojnë të gjithë procesin”.
“Sa i përket Kosovës, unë mund të flas vetëm në emër të Qeverisë sime, sepse ka shumë diskutime për këtë temë në Quint. Por qëndrimi i Qeverisë sime është se Kosova duhet t’i përmbushë obligimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit dhe nëse nuk e bën, sigurisht që komplikon interesin e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera”, tha Hill.
Duke u ndalur te Asociacioni, diplomati amerikan tha se kjo do të ndodhë. Ky organizëm, tha Hill, është i nevojshëm si për të ardhmen e Serbisë, ashtu edhe të Kosovës.
“Mendoj se do të ndodhë, se Asociacioni i Komunave me shumicë, serbe është shumë i arsyeshëm – një zgjidhje për të gjithë. Ai do të ndihmonte në tejkalimin e shumë problemeve dhe vështirësive aktuale që ka komuniteti serb në Kosovë. Mendoj se është i nevojshëm për të ardhmen e Serbisë, dhe mendoj për të ardhmen e Kosovës, kështu që besoj se do të ndodhë. Është një proces negociues që është i vështirë. Shumë lëvizje luajnë rol në këtë, por mendoj se ajo që është thelbësore, e kam thënë tashmë shumë herë, është se është e rëndësishme për komunitetin serb në Kosovë se cila do të jetë e ardhmja e tyre dhe cila do të jetë e ardhmja e fëmijëve të tyre, dhe mendoj se Asociacioni është mënyra më e mirë për ta arritur atë”, theksoi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




