Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Uashingtoni ka “disa probleme shumë thelbësore” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Hill u pyet nëse Kurti është i gatshëm të pranojë tri kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por, këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, tha ai.
Gjatë javës, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndruan në Prishtinë dhe Beograd, për të ndihmuar palët që të ulin tensionet.
Dy zyrtarët paraqitën tri kërkesa për Qeverinë e Kosovës: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Hill tha se gjatë takimit me Kurtin, Escobar dhe Lajçak, e kanë informuar atë që duhet "të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë te ne si mik dhe partner”.
“Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.