Gazeta Si – Hetimi ende në proces ka të bëjë me mbivlerësimin e futbollistëve në bilanc. Një ‘tërmet’ i fortë, që mund të trondisë dy klubet e kryeqytetit italian, Romën dhe Lacion, si dhe Salernitanën. Nën hetim janë pronarët e klubeve, Friedkin dhe Lotito, por edhe drejtori sportiv shqiptar i Lacios, Igli Tare.
Te Roma janë 9 persona nën hetim, përveç klubit në tërësi. Mes tyre janë ish-administratori i deleguar Umberto Gandini, Guido Fienga, Mauro Baldisoni, si dhe Tomas Dan dhe Rajan Patrik Friedkin, respektivisht president dhe zëvendëspresident i Romës.

Te Lacio, presidenti Klaudio Lotito dhe drejtori sportiv Igli Tare po hetohen nga Prokuroria e Tivolit për operacionet e shit-blerjes së lojtarëve. Bashkë me ta rezultojnë nën hetim edhe 5 persona të tjerë të klubit bardhekaltër.
Tashmë dy klubet e Romës udhëtojnë në dy binarë paralelë, që herët a vonë do të kryqëzohen. Nga një anë rezultatet në fushë dhe gara për Championsin, nga ana tjetër hetimi i Prokurorisë për plusvalencat. Dokumentacioni është në dorë të drejtësisë aktualisht, por si në rastin e Juventusit, shpejt mund të përfundojë në tavolinën e Prokurorit të Federatës Italiane të Futbollit.
Mund të ketë sërish përgjime. Edhe pse është ende herët për të hedhur hipoteza në nivelin sportiv, është e qartë se rreziku për ta pësuar si Juventusi është i madh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




