Konfindustria duke cilësuar si dramatike zhvillimet në rafinerinë e ish- Armo, thotë se, ato janë pasojë e pritshme e politikave thellësisht të dështuara në sektorët strategjikë të ekonomisë në 30 vite.
Shoqata e biznesit të madh, shprehet se gjendja në sektorin e hidrokarbureve është edhe më e vështirë nga prania në numër të madh të kompanive të regjistruara në parajsa fiskale.
“Kompanitë e tipit “guackë”, që ndërrojnë njera tjetrën, kanë shkaktuar dëme me qindra milionë $ në dëm të shtetit shqiptar, përfshi edhe rastin e rafinerisë ish-ARMO. Një pjesë e madhe e dëmve të shkaktuara vjen nga përdorimi skemave të pastra të grabitjes së buxhetit të shtetit, duke mos paguar detyrimet fiskale. Më pas kalojnë në falimentim dhe/ose zhduken me skenar të parapërgatitur, duke shfryëzuar faktin e të qenit kompani të regjistruar në “parajsa fiskale”pa asnjë barrë siguruese të dukshme.”- citon Konfindustria në një komunikim për mediet.
Ajo kërkon, që hapi i parë serioz sipas saj, i vendimarrjes politike për të patur mundësi për zgjidhjen edhe të cështjes së rafinerëisë ish-Armo, është, që SPAK, BKH, SHISH dhe agjencite partnere të kryejnë zbulimin dhe vënia para përgjegjësisë ligjore të zotëruesve të vërtetë të kompanive “guackë”, të përfshira në skandalet në fushën e hidrokarbureve. Më pas, thotë Konfindustria, nëpërmjet vendimeve të gjykatës, të kalohet në konfiskimin e pasurisë personale të pronarëve të kompanive “guackë”. Njëkohësisht, kërkohet, që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë pa vonesë projektligjin e vonuar prej mbi 5 vjet, të kërkuar me forcë edhe nga agjencitë e specializuara të BE, për detyrimin e bërjes publike të pronarëve të kompanive “guackë” në vend dhe ndalimin e pjesëmarrjes në sektorët strategjikë të ekonomisë dhe kontratat me shtetin.
Sipas të dhënave të Konfindustrisë, vetëm nga sektori i hidrokarbureve dëmet e pësuara për ekonominë, buxhetin, biznesin dhe qytetarët, llogariten në mbi 10 miliard dollarë. Në këtë shumë, thekson shoqata, nuk bëjnë pjesë dëmet e pallogaritshme në uljen e konkurencës së ekonomisë shqiptare, shëndetin, mjedisin, teknologji, etj.pasojë e çmimeve nga më të lartat në botë dhe cilësia e dobët e karburanteve në qarkullim në treg shqiptar.
“Vlera e dëmëve të shkaktuara nga keqfunksionimi i sektorit të hidrokarbureve vijojnë të shtohen cdo vit më qindra milionë dollarë .”- përfundon Konfindustria.
Ndërsa 10 nga punonjësit e ARMO-s janë prej dy javësh në grevë urie me pasoja të rënda për shëndetin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.