Futboll

Hidhet shorti i Superligës, Liga e Futbollit: Nuk luhet pa u plotësuar kushtet nga qeveria

Sot në orën 11:00 në ambientet e stadiumit “Air Albania” është hedhur shorti i edicionit të 82-të të Kategorisë Superiore për sezonin 2020/21, i cili starton në 12 Shtator dhe pritet të përfundojë më 22 Maj të  vitit të ardhshëm.

Tirana do ta nisë mbrojtjen e titullit kampion ndaj skuadrës së Kukësit, ndërkohë që në javën e parë Skënderbeu do të ndeshet me Teutën, ndërsa Partizani me Kastriotin në transfertë. Apolonia e rikthyer mes me të mirëve do ta nisë kampionatin përballë Vllaznisë. Derbi i parë i sezonit mes Tiranës dhe Partizanit do të zhvillohet javën e 6.

Pavarësisht hedhjes së shortit, Liga Profesioniste e Futbollit ka paralajmëruar se nuk do të nisë Superiorja pa u plotësuar nga qeveria kushtet e tyre për ndryshimin e ligjit të sportit dhe sponsorizimet në klubet sportive.

“Në rast se nuk do të plotësohen kushtet që ne i kemi kërkuar qeverisë, sigurisht që kampionati nuk fillon. Ne jemi në pritje të përgjigjes nga qeveria. Kemi bërë kërkesën dhe po presim që sa më shpejt të ulemi për të negociuar dhe për të filluar. Në rast se nuk do të gjejmë gjuhën e përbashkët, vendimmarrja e anëtarëve të ligës është për të bojkotuar kampionatin. Deri në këto momente që flasim, nuk ka pasur asnjë reagim. Kërkesa është e klubeve, nuk është e imja. Të 10 klubet kanë vendosur këto kushte. Nëse disa klube nuk mund t’i shkojnë pas atyre kërkesave, nuk mund të qëndrojë as bojkoti”, tha presidenti i Ligës, Edvin Libohova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë