Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër-kontrolli për llogari të hetimit pasuror të nisur ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe familjarëve të tij.
Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado, gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut, ambient që dyshohet se përdorej nga familjarët e kryebashkiakut.
Vendimi i gjykatës është ekzekutuar paraditen e kësaj të mërkure nga agjentët e BKH, të cilët kanë administruar në këtë apartament dokumente, apo pajisje elektronike me vlerë për hetimin.
Gjykata lejoi që kontrolli të bëhej me qëllim zbulimin, administrimin dhe sekuestrimin e provave që kanë lidhje me veprën penale duke përfshirë prova dokumentare dhe elektronike, pajisje elektronike, celularë, lap top apo kompjuter personal.
Në fund të vitit të shkuar, kreu i Bashkisë Tiranë dhe bshkëshortja e tij, Ajola Xoxa dëshmuan në ditë të veçanta për disa orë në SPAK në lidhje me hetimin pasuror të nisur nga prokurorët specialë. Më herët, agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontroll në banesën e kryebashkiakut, në apartamentin e vëllait të tij, Arbër Veliaj dhe studion e Ajola Xoxës në zonën e ish-Bllokut.
Ndërsa opozita e akuzon për korrupsion dhe pastrim parash, kryeministri Edi Rama ka përsëritur në javët e fundit se ndaj kryebashkiakut të Tiranës po bëhet “një gjyq publik”.
“Përkohësisht di që Erion Veliajt i cenohet jeta e tij private nga një gjyq publik nga të gjithë ata që janë angazhuar në atë gjyq. I cenohet dinjiteti nga prokurorë gjykate të ulur në klube mediatike apo të fshehur në ekrane të portaleve, të socialeve, këtë e di me siguri. Ndërsa për pjesën tjetër, nuk bën përjashtim askush nga ajo që unë kam thënë që në fillim. Nuk bëj komente për çështje që u takojnë institucioneve të drejtësisë. Nëse ndryshon, do ketë një arsye shumë të fortë. Deri sot ky është qëndrimi im. Linçimi publik i kryetarit të bashkisë është i neveritshëm dhe kërkimi i gijotinës për të është skandaloz. Këto janë komente meqë më pyetet, por për më shumë s’kam çfarë them”, tha Rama.
SPAK ka regjistruar procedimin penal për 4 akuza ndaj Veliajt dhe familjarëve të tij dhe ka nisur të marrë deklarimet e personave që kanë dijeni në lidhje me këtë çështje.
Dyshimet e Prokurorisë së Posaçme kanë të bëjnë me faktin se familjarë të Veliajt kanë marrë përfitime të parregullta nga shoqëri apo individë që kanë pasur interesa të drejtpërdrejta me Bashkinë e Tiranës.
Po ashtu SPAK, ka dyshime edhe për lëshimin e faturave fiktive dhe tentativa për “injektim” në sistemin bankar të parave, origjina e të cilave është e dyshimtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.