Drejtësia

Hetimi i SPAK për ‘Sterilizimin’, shtyhet në 3 qershor seanca për Ilir Beqajn. Mbrojtja kërkon kohë për t’u njohur me aktet

Gazeta Si - Me pretendimin e avokatëve mbrojtës për t'u njohur me aktet e dosjes, është shtyrë për në 3 qershor seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe 8 të pandehurve të tjerë për dosjen e “Sterilizimit”.

Jashtë gjykatës ish-ministri tha se dosja nuk i është vendosur e gjitha në dispozicion. Sipas tij, mes akteve ka edhe CD dhe DVD që ende nuk i zotëron dhe njohja me përmbajtjen e tyre është e nevojshme për të bërë mbrojtjen.

Në 18 prill, Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK-un t’i vërë në dispozicion ish-ministrit Ilir Beqaj dhe 8 të hetuarve të tjerë për koncensionin e sterilizimit, dosjen e plotë në mënyrë elektronike.

Marrja e dosjes në këtë formë pa pagesë, sipas Beqajt është rrëzimi i pengesës artificiale të krijuar sipas tij nga SPAK.

Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën për të marrë të pandehur Beqajn me dyshimet se shpërdoroi detyrën në dhënien në kushtet e konfliktit të interesit biznesmenit Ilir Rrapaj, për shkak të njohjeve me të.

Për shpërdorim detyre dhe mashtrim me pasoja të rënda akuzohet zëvendësi i Beqajt, Klodian Rjepaj që bashkë me Rrapajn ndodhen në qeli që prej Gushtit të shkuar.

Të pandehur për këtë dosje, SPAK kërkon të marrë edhe 6 ish-zyrtarë të tjerë për akuzën se shpërdoruan detyrën gjatë dhënies së koncensionit të sterilizimit në 2015.

Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

Masat ndaj 8 ish-zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë:

-Klodjan Rjepaj: arrest me burg për “shpërdorim detyre”

-Ilir Rrapaj: arrest me burg për “mashtrim me pasoja të rënda”

-Saimir Kadiu: arrest shtëpie për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Marsela Serjana: arrest shtëpie për “falsifikim dokumentesh:” dhe “shpërdorim detyre“

-Arben Gjata: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Naile Ajazi: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe ‘shpërdorim detyre”

-Genc Byrazeri: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Petri Mersini: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë