Drejtësia

Hetimi i SPAK, ish-drejtoresha e AKKP: Emërimet, me urdhër nga Kryeministria. U habita që Berisha më thirri në zyrë!

Gazeta Si – Për aferën e klubit “Partizani”, në dosjen e SPAK jepet edhe dëshmia e Justina Boriçit, ish-drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave përgjatë gushtit 2006, deri në qershor 2007.

Ajo, në dëshminë e saj pohon se emërimet i vinin me urdhër të kryeministrisë dhe drejtpërdrejtë nga kreu i qeverisë asokohe, Sali Berisha.

“Në muajin gusht të vitit 2006 më ka thirrur kryeministri Sali Berisha, i cili më ka bërë të ditur se isha emëruar si drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Unë kam qenë anëtare e Partisë Demokratike, kam qenë e organizuar, dhe nëpër mbledhje isha njohur edhe me kryeministrin Sali Berisha…. kryeministri e dinte se kush isha.

Sqaroj se në korrik 2006 unë u emërova nga Ministria e Bujqësisë, drejtoreshë e Qendrës së Transformimit (QTTB) ku ishte bashkuar Instituti, Instituti i Zooteknisë dhe Instituti i Foragjerëve,…. Pas kësaj, pas një muaji, pra në gusht 2006, më kërkoi Sali Berisha.

Më tha Ministri i Bujqësisë Jemin Gjana dhe më bëri me dije se më kërkonte kryeministri. Mua më erdhi pak e habitshme. E kam takuar kryeministrin Sali Berisha, në zyrën e tij në Kryeministri dhe ai më bëri me dije se më kishte emëruar si drejtoreshë e Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave…”.

Shtetësja Justina Boriçi emëron më pas drejtoreshën e Zyrës Rajonale të AKKP, shtetasen Dhurata Hoxha (Çela), me urdhrin nr. 203 datë 09.10.2006.

Në deklarimin e datës 26.09.2023, shtetasja Justina Boriçi deklaron se: “…Unë nuk e njihja Dhurata Hoxhën dhe emërimi i saj mesa më kujtohet ka ardhur me rekomandim por nuk më kujtohet se kush saktësisht e ka rekomanduar.

Përgjithësisht rekomandimet vinin nga lart që mund të ishte zëvendës kryeministri, por në rastin konkret nuk di të jap një përgjigje të saktë…”.

Gjithashtu nga shtetasja Justina Boriçi emërohen edhe punonjës të tjerë që kanë kryer veprime në përgatitjen dhe kthimin e pronës familjes Begeja dhe familjeve të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë