Futboll

Hetimi, biseda e drejtuesve të Juventusit për pagat: Ronaldo ka firmosur

Gazeta Si – Mes akteve të hetimit Prisma është edhe zbardhja e një bisede, që duket se i referohet një akordi me futbollistin portugez në lidhje me manovrën e pagave 2020-2021.

Në pritje të audiencës së programuar më 27 mars, hetimi i prokurorisë së Torinos për Juventusin pasurohet me një kapitull të ri. Në qendër të vëmendjes kthehet e famshmja ‘karta Ronaldo’ dhe manovra e dytë e pagave, ajo e sezonit 2020/21.

Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, në aktet e depozituara së fundi bën pjesë edhe transkriptimi i një bisede mes Federiko Kerubinit, krahut të tij të djathtë Paolo Morganti dhe avokatit Çezare Gabazio. Në këtë bisedë flitet në mënyrë eksplicite për Kristiano Ronaldon.

Anjeli dhe Kristiano Ronaldo. Gazeta Si, 24 mars 2023

Më 20 prill 2021, Gabazio shkruan: “I pari gati për të firmosur është Kristiano”. Tri ditë më pas, më 23 prill, është Morganti që ndërhyn në bisedën në grup: “Kristiano ka firmosur. Ka një kopie të të gjithë dokumenteve”. Biseda mbyllet me Kerubinin që shpreh kënaqësinë: “Mirë!”.

Nga hetuesit gjykohet se ky shkëmbim batutash ka të bëjë me ‘kartën Ronaldo’, pra me akordin me CR7 në lidhje me manovrën e dytë të pagave. Dokumenti është gjetur i pafirmosur në zyrat torineze të avokatit Restano.

Përfaqësuesit ligjorë të portugezit kanë mohuar gjithmonë faktin që ai ka firmosur një akord të tillë dhe që ka një kopje të tij. Ata bëjnë me dije se lojtari është mjaftuar me firmën që lidhet me heqjen dorë nga 4 paga mujore, me premtimin se ato do të rikuperoheshin në sezonet pasardhëse. CR7 nuk është likuiduar ende për atë që i takon nga Juventusi, rreth 19.9 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë