Gazeta Si – Në pritje të ekspertëve për verifikimin total të dëmeve, 4 apartamente janë shkrumbuar krejtëisht nga zjarri që përfshiu një ditë më parë një pallat 10-katësh në zonën e njohur si ish-Parku i Autobusëve.
Përveç dëmeve të shumta materiale, për fat të mirë nuk ka pasur banorë apo zjarrfikës të lënduar gjatë punës për shuarjen e flakëve.
Deri më tani është vështirë për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, edhe pse paraprakisht dyshohet se është shkaktuar nga shkëndija elektrike në një pajisje elektroshtëpiake.
Në pallat mësohet se jetojnë 69 familje, në të dyja shkallët, mesatarisht 3-4 persona për familje. 46 apartamente janë te shkalla që është djegur.
Nga zjarri u shkrumbuan 3 apartamente dhe një tjetër apartament u dogj në masën e 30%. 10-12 apartamente janë djegur pjesërisht, nga flakët që kanë hyrë brenda nga fasada.
“Nuk mund të flasim, do presim rezultatet përfundimtare. Do jemi këtu për të siguruar që s’do ketë persona të dëmtuar”, – tha kreu i zjarrfikësve të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj.
Ai e cilësoi si një rast i rrallë që zjarri ka kaluar nga një banesë në tjetrën dhe kjo për shkak të fasadës së tij. Vendi i ngjarjes është kthyer në një zonë krimi, ku gjatë natës është ruajtur nga forcat e policisë.
Ndërsa këtë të premte ka nisur ekspertiza dhe këqyrja e plotë e vendit të ngjarjes nga ana e policisë dhe nën drejtimin e një prokurori.
“Në rastet e kësaj natyre, është e domosdoshme ndërhyrja e ekspertëve, që merren me shërbimin zjarrfikës, ata që kanë njohuri në fushën e elektricitetit, ekspertë të ndërtimit, për të përcaktuar të gjitha arsyet e përhapjes kaq të shpejtë të këtij zjarri”, – u shpreh drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.
“Këto janë hetime shumë të vështira, sepse zjarret i zhdukin provat, mundësia më e madhe është që këto janë zjarre aksidentale”, – vijoi Vocaj.
Një ditë më parë, administratori i pallatit shumëkatësh është shoqëruar në polici, ku është marrë në pyetje mbi ngjarjen.
Ndërkohë, zjarri në pallatin shumëkatësh zgjati për më shumë se 3 orë deri në fikjen e plotë të flakëve.
Fikja e flakëve nga zjarrfikësit u vështirësua për shkak të polisterolit në fasadën e godinës, një material ndërtimi që merr flakë menjëherë.
Deri tani ngjarja është e paqartë, edhe pse dyshohet që zjarri të ketë nisur nga kati i fundit dhe për shkak të materialit të veshjes së pallatit, të cilësuar si “lesh guri”, e gjithë fasada është përfshirë nga flakët në mënyrë të shpejtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.