Ka ndodhur

Hetimet për velierën e gjetur në Kavajë, asnjë gjurmë nga pronari i mjetit

Gazeta Si - Veliera e gjetur e braktisur në rërë të enjten në bregdetin e Karpenit në Kavajë, duket se nuk ka lidhje me ndonjë ngjarje kriminale.

Sipas burimeve paraprake, dyshimet kryesore janë se 85-vjeçari gjerman Frank Rudiger, i cili ndodhej në bordin e mjetit lundrues, ka gjetur vdekjen në mënyrë aksidentale, edhe pse trupi i tij nuk është gjetur ende nga policia.

Sipas burimeve praprake, dyshohet se ai ndodhej i vetëm në bordin e velierës, kjo referuar edhe telefonatave që ai kishte pasur me të birin, vetëm një ditë para se të zhdukej.

85-vjeçari ishte nisur nga porti i Barit më datë 9 shtator dhe kishte si destinacion Kroacinë. Veliera e tij u pikas nga GPS në det të hapur, teksa bënte lëvizje të pakontrolluara e më pas përfundoi në cekëtinë, ku dhe u gjet nga policia kufitare shqiptare.

Në bordin e mjetit detar, përveç pasaportës, telefonave e një laptopi, autoritetet gjetën edhe një pistoletë e fishekë, të cilën i moshuari e kishte me leje dhe e mbante gjithnjë me vete kur lundronte.

Një motoskaf i policisë kufitare po patrullon përgjatë brigjeve të bregdetit të Durrësit me qëllim gjetjen e pronarit të velierës, i cili dyshohet të ketë rënë aksidentalisht në det dhe të jetë mbytur.

Ndërkohë, Policia Kufitare, me anë të dy rimokiatorëve, po tenton të zhvendosë nga Karpeni drejt Portit të Durrësit mjetin që ka mbetur në ceëktinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë