Bota

Hetimet për Trump, akuzohet se kërkoi fshirjen e serverëve për dokumente sekrete

Gazeta Si – Prokurori special Jack Smith, ka ngritur tre akuza të reja kundër Donald Trump lidhur me dokumentet sekrete në Mar-a-Lago.

Më e rënda ka të bëjë me përpjekjen për të zhdukur një video survejimi në mënyrë që të mos përfundojë në duart e jurisë së madhe.

Ndërsa fokusi është i gjithi në hetimin e 6 janarit dhe aktakuzën e tretë të mundshme të ish-presidentit, akuzat e reja vijnë si befasi dhe, sipas ekspertëve, duket se mund të dobësojnë më tej pozitën e miliarderit.

Ish-presidenti akuzohet se u përpoq të “ndryshojë, shkatërrojë ose fshehë provat”, për përpjekjen “të detyrojë njerëzit e tjerë ta bëjnë këtë” dhe se ka treguar një dokument shumë konfidencial për miqtë e tij në klubin e tij të golfit në Bedminster, Nju Jork.

“The Donald” hedh poshtë akuzat: “Kjo nuk është asgjë më shumë se një përpjekje e dëshpëruar nga familja e krimit Biden dhe Departamenti i tyre i Drejtësisë për të linçuar presidentin Trump dhe ata përreth tij”, – tha Steven Cheung, zëdhënës i ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë.

“Jack Smith i çmendur e di se nuk ka asnjë rast dhe po kërkon çdo rrugë për të shpëtuar një gjueti të paligjshme shtrigash dhe për të gjetur një tjetër që mund të kandidojë kundër Joe Biden”, – shtoi Cheung.

Në 60 faqet plotësuese të aktakuzës së dokumenteve të Mar-a-Lagos, Smith akuzoi Trumpin se kishte pasur në posedim një dokument lufte shumë të klasifikuar dhe se e kishte ndarë atë, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, me njerëz që nuk kishin autorizimin e nevojshëm për ta parë.

Një person i tretë përveç Trump dhe Ëalt Nauta-s përfundoi edhe në shënjestër të prokurorit.

Ai është Carlos De Oliveira, një punonjës i Mar-a-Lagos, i cili më 27 qershor 2022 i tha një kolegu të tij se “shefi”, d.m.th. Trump, “dëshironte shkatërrimin e serverit” me pamjet e regjistruara nga kamerat e pozicionuara pranë kutive me dokumentet sekrete. Mirëpo, kolegu i është përgjigjur De Oliveiras se nuk dinte si të bënte dhe mbi të gjitha se nuk besonte se kishte të drejtë të bënte atë që i kërkohej.

Pasi kolegu refuzoi, De Oliveira telefonoi Nautën, bashkëpunëtorin historik të Trump dhe më pas e takoi personalisht në Mar-a-Lago.

Akuzat e reja mund të shtyjnë gjyqin e dokumenteve sekrete të caktuar për në maj, i cili rëndohet nga pasiguritë e padive të tjera të mundshme të Trump për sulmin e 6 janarit në Kapitol Hill dhe për ndërhyrje në zgjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë