Drejtësia

Hetimet për tenderët, kryebashkiaku Erion Isai pyetet për rreth dy orë në SPAK

Gazeta si – Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai u paraqit këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Ai u pyet për rreth dy orë. Pas daljes nga SPAK, Isai ka “kyçur” gojë para gazetarëve, duke mos dhënë asnjë deklaratë në lidhje me paraqitjen e tij në Prokurorinë e Posaçme.

Më herët, SPAK e mori të pandehur Isain, nën akuzat se ka konsumuar veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, lidhur me ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë dhe Ujësjellësin e Kolonjës.

Ndërkohë, të pandehur janë marrë edhe 6 zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Kolonjës, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në shkeljet e pretenduara.

Objekt i hetimit rezulton të jenë katër procedura prokurimi, që lidhen me projektin për ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë, Loti II, dhe projektet për ndërtimin dhe mbikëqyrjen e ujësjellësit të Ersekës dhe disa fshatrave përreth.

SPAK ka vënë në sekuestro një sërë komunikimesh në aplikacionin WhatsApp midis kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isait, dhe E.Ç, administratore e kompanisë private (lexo këtu).

Mesazhet e zbuluara tregojnë për një bashkërendim veprimesh me qëllim ndryshimin e parametrave tekniko-financiarë të projekteve, në mënyrë që ato të përshtateshin me kërkesat e kryetarit të bashkisë ose të favorizonin subjekte të caktuara.

Sipas SPAK, Isai ka vepruar në kundërshtim me ligjin, në bashkëpunim me anëtarë të komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimit të specifikimeve teknike si dhe me anëtarë të njësisë së prokurimit, për të favorizuar kompaninë e E.Ç.

Hetimet tregojnë gjithashtu se anëtarët e komisionit të marrjes në dorëzim të punimeve, E.C., dhe E.D., së bashku me administratoren, kanë falsifikuar procesverbalin e datës 01.06.2020 për objektin “Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2”, duke përfshirë të dhëna të pavërteta mbi pjesëmarrjen dhe rrethanat e procedurës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë