Ngjarje

Hetimet për sulmet në Kamëz/ Gruaja që u nda hapi agjenci funerale. I riu pjesë e një grupi kriminal

Gazeta Si – Dy ngjarjet që tronditën Kamzën në një distancë kohore prej 40 minutash nga njëra-tjetra pas mesnatës, duket se kanë pas nga histori të ndryshme.

Policia po përpiqet të kuptojë nëse sulmi me armë në biznesin e një gruaje në Kamëz, ka apo jo lidhje me konfliktet familjare që shënjestra e atentatit kishte.

Pasi ka mbledhur gëzhojat në agjencinë funerale që është nën pronësi të shtetases E.M., e divorcuar prej kohësh, Policia e Kamzës i thotë Gazetasi.al se ka hapur të dhënat e gruas, e cila është e divorcuar dhe që ka qenë shpesh objekt hetimesh.

LEXO EDHE:
Dy ngjarje kriminale në Kamëz, tritol makinës luksoze dhe plumba ndaj një biznesi

Kjo e dhënë i thuhet Gazetasi.al në rrugë jo zyrtare, por nuk përjashtohen edhe konfliktet dhe pistat e tjera.

Megjithatë, agjentët i treguan Gazetasi.al, se gruaja E.M., ishte e martuar më herët me shtetasin S.M., me të cilin janë ndarë.

Pas divorcit, të dhënat paraprake tregojnë se çifti u përfshi në mosmarrëveshje për pronat dhe në kulmin e këtyre incidenteve ata shpesh kanë përfunduar në komisariat.

“Edhe shtetasi S.M., zotëron një agjenci funerale në të njëjtën zonë, pra në sheshin “Skënderbej”, aty ku ndërkohë e ka hapur edhe ish bashkëshortja e tij”, – tha për Gazetasi.al një oficer policie, që bën me dije se kjo e dhënë është dyshimi fillestar mbi hetimet e nisura për këtë sulm me armë.

Por ndërkohë, një tjetër ngjarje ndodhi në Kamëz, ku një automjet “Audi Q7” iu vendos lëndë plasëse.

Ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën thotë policia zyrtarisht për Gazetasi.al, por nga veprimet e para, rezulton se mjeti luksoz i përket shtetasit Artan Lleshi, i cili është pronar i një biznesi që jep automjete me qira dhe që merret me elektronike.

“Ky shtetas, aktualisht gjendet në Shqipëri pas kontrollit të parë në sistemin TIMS”, – tha policia.

Kjo e fundit është e bindur se ngjarja nuk ka ndodhur për shkaqe banale dhe nuk ka lidhje me veprimtarinë e pukjanit në Britaninë e Madhe.

“Është një histori që ka lidhje direkte me veprimtarinë në Shqipëri dhe ‘backgroundin’ e këtij shtetasi këtu, por edhe lidhjet e tij me elementë të një grupi kriminal, që së fundmi ka probleme në SPAK”, – tha policia për Gazetasi.al.

Por nëse është i riu nga Puka një ushtar i një grupi kriminal, kjo gjë nuk u pohua në mënyrë përfundimtare, megjithëse u shtua se ka dyshime se ai ka lidhje dhe njohje me shtetasin E.M., një personzh i njohur i botës së krimit në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë