Drejtësia

Hetimet për ish deputetin e PS, Jurgis Çyrbja, SPAK thërret ish-kreun e OSHEE, Adrian Çela

Gazeta Si- Tre ditë pasi Vangjush Dako dha shpjegime për hetimet ndaj ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja, SPAK ka thirrur këtë të enjte për të dëshmuar ish-kreun e OSHEE-së, Adrian Çela.

Sipas burimeve, Çela do të pyetet në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut të Durrësit. Jurgis Çyrbja është arrestuar me akuzën për korrupsion në zgjedhje dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Emri i tij u vendos në listë të sigurt të kandidatëve për deputetë të PS pas ndikimit nga njerëz të krimit.

Tre ditë më parë, ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dha shpjegime në SPAK lidhur me çështjen e Jurgis Çyrbjes,pas përgjimeve në “Sky ECC”.

Akuzat që rëndojnë ndaj tij janë “Korrupsion aktiv zgjedhor”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror”.

Nga zbërthimi i bisedave në rrjetin “SKY ECC”, u zbulua se në favor të votave për t’u zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin.

Ndërkohë që Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekici, i cili u ekzekutua në vitin 2021 dhe Altin Hajri, i shumëkërkuar për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës, dyshohet se kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet. Së bashku me të u prangos edhe Ahmet Masha, një emër i njohur për drejtësinë dhe policinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë