Gazeta Si – Reni Ashiku, njëri prej bashkëpunëtorëve të ish-ministres së Bujqësisë, Frida Krifca u mor këtë të enjte në pyetje në SPAK lidhur me skandalin e abuzimit me fondet e IPARD.
Ashiku, është administrator i Converse Management Consulting (CMC) dhe pasi doli nga SPAK nuk ka pranuar të flasë për mediat. Në këtë çështje është nën hetim edhe ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.
Në tetor 2025, ish-kreu i SPAK, Altin Dumani tha në Kuvend se SPAK po heton abuzimet me fondet e IPARD.
Ai theksoi se gjatë këtyre hetimeve po punohet ngushtë me OLAF. “Kemi regjistruar një procedim të tillë për fondet IPARD. Çështja është në hetim dhe po bashkëpunohet ngushtë me OLAF”,- tha Dumani.
Pytjes se a po hetohet ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, për fondet IPARD, Dumani theksoi se “në atë procedim penal hetohet çdo person që dyshohet se ka kryer veprime të paligjshme”.
Kallëzimi për abuzimet me fondet e IPARD-it, u bë nga Zyra Evropiane kundër Mashtrimit (OLAF) pas hetimeve mbi mënyrën sesi u administruan fondet për bujqësinë.
Me rekomandimin e OLAF, Bashkimi Evropian ndërpreu qindra milionë euro ndihma për fermerët shqiptarë nga program IPARD 3 pas hetimit mbi abuzimet në AZHBR për të cilat është e kallëzuar edhe ish-ministrja Krifca.
Çështja e fondeve “IPARD” mbetet një nga dosjet më të ndjeshme që lidhen me menaxhimin e fondeve të BE-së në Shqipëri dhe me përgjegjësinë institucionale për bllokimin e mbështetjes për fermerët.
Në tetor 2025, Partia Demokratike iu drejtua Kuvendit me një shkresë, ku kërkoi ngriten e një komisioni hetimor për Kontrollin e Ligjshmërisë në Administrimin e Fondeve të Programit IPARD II.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje