Bota

Hetimet për dosjen ‘Epstein’, Kongresi thërret në gjyq Bill dhe Hillary Clinton

Gazeta Si – Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, janë ndër emrat e njohur që kanë marrë thirrje zyrtare nga një komision i Kongresit të SHBA-ve për të dëshmuar lidhur me çështjen e financierit të ndjerë dhe të dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein.

Thirrjet u lëshuan të martën, 5 gusht, nga republikani James Comer, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Dhomës së Përfaqësuesve. Përveç çiftit Clinton, thirrje janë lëshuar edhe për tetë persona të tjerë.

Komisioni po kërkon të hetojë më tej të kaluarën e Epstein, pas vendimit të administratës së Donald Trump për të mos publikuar dokumente të tjera federale që lidhen me çështjen.

Ky vendim shkaktoi reagime të forta, si nga mbështetësit e Trump-it ashtu edhe nga disa përfaqësues liberalë, të cilët besojnë se në dosjet e papublikuara mund të gjendet një “listë klientësh” me emra të njohur të lidhur me Epstein-in.

Thirrjet për dëshmi përfshijnë figura nga Departamenti i Drejtësisë gjatë administratave Obama, Trump dhe Biden. Vetë departamenti është thirrur gjithashtu për të dorëzuar dokumente që lidhen me Epstein.

Sipas Comerit, një njoftim për dëshmi i është dërguar edhe ish-Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland, i cili drejtoi Departamentin e Drejtësisë gjatë presidencës së Joe Biden.

Thirrje për dëshmi kanë marrë edhe dy ish-prokurorët e përgjithshëm të administratës Trump: Jeff Sessions dhe William Barr. Gjithashtu, edhe ish-drejtorët e FBI-së, James Comey dhe Robert Mueller, pritet të paraqiten para komisionit.

Nuk është ende e qartë nëse personat e përmendur do të paraqiten për të dëshmuar dhe nëse dëshmitë e tyre do të jenë publike.

Jeffrey Epstein u arrestua në vitin 2019 nën akuzat për trafikim të të miturve dhe vepra të tjera penale gjatë administratës së parë të Trump-it. Ai vdiq në burg po atë vit, në një ngjarje që autoritetet e cilësuan si vetëvrasje, por që u shoqërua me teori të shumta konspirative.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë